Categories Kulture

Befason historiani turk: Ja si ishte Skënderbeu – deklaratë!

Historianët bashkëkohorë turq vazhdojnë të kenë qëndrime të ndryshme për Skënderbeun dhe epokën e tij. Derisa një numër i tyre pëlqen të përmend Skënderbeun kalimthi si pengesë e përkohshme e fushatave pushtuese osmane, të tjerë si Halil Inallçik shprehin konsiderata ndaj rezistencës së tij.

Halil Inallçik, që ndërroi jetë vitin e kaluar, konsiderohet si një prej historianëve më të mirë turq që njihen edhe ndërkombëtarisht, shkruan Konica.al. Si ligjërues edhe në Universitetin e Çikagos, ai është autor i një varg punimesh serioze për fazat e hershme të pushtimeve osmane në Ballkan.

Në fokus të interesimit të tij kanë qenë edhe zotërimet e para osmane në Shqipëri, përfshirë sistemi i timarit dhe regjistrat e ndryshëm kadastralë. Portali Konica.al sjell një fragment nga zëri «ARNAWUTLUK» në Enciklopedinë e Islamit, një botim i vitit 1960.  Inallçik, i cili është autor i këtij zëri enciklopedik për Shqipërinë dhe shqiptarët, jep një shpjegim të thuktë për historinë dhe gjeografinë e vendit. Hyrjen e nis duke pranuar prejardhjen ilire të shqiptarëve, meqë sipas tij «ilirishtja dhe epirotishja e moçme, në bazë të emrave vetjakë dhe atyre të vendeve, mbahen si prototipa të shqipes gegë dhe toskë». Duke qenë se Skënderbeu dhe bota e tij po ngjallin debate të vijueshme në publicistikën shqiptare, ja disa disa shënime të historianit turk mbi Skënderbeun:

«Nga viti 847/1443 e tutje Skënderbeu dhëndri i Aranitit, mori drejtimin e kryengritjes; energjia dhe trimëria e tij e pazakontë dhe gjendja ndërkombëtare që përftoi në këtë kohë, i dha lëvizjes një karakter të rëndësishëm ndërkombëtar. Duke lënë anash legjendën që është harlisur rreth personit të tij, duhet të theksohet se zanafilla dhe motivet e kryengritjes së tij nuk ishin të ndryshme prej atyre të zotërve të tjerë shqiptarë. I caktuar si subash i Krujës (Akcahisar), rreth vitit 842/1438, ai u hoq me 1440. Ai dëshironte të kthente Krujën dhe zotërimet e të atit në tërësinë e tyre dhe t’i zotëronte si zot feudal, dhe jo si timar-mbajtës. Është e vërtetë se ai bëri aleancë me familjet e tjera feudale si Topiajt, Balashajt, Dukagjinët, Dushmanët, Lekë Zaharinë dhe Aranitin (mbledhja e Lezhës, më 1 mars 1444), por ideja e një Shqipërie të bashkuar nga një prijës kombëtar është larg prej realitetit.

Ai kontrollonte vetëm Shqipërinë veriore derisa Shqipëria qendrore dhe ajo jugore mbetën nën kontrollin osman. Subashët dhe sanxhakbejtë, nga Gjirokastra, Ohri dhe Berati bënë përpjekje për ta shtypur atë me forca lokale. Ai zhvilloi luftime guerile gjatë tërë kohës. Shumë prej betejave të përshkruara nga Marin Barleti me figura fantastike nuk ishin veçse përplasje lokale. Forcat vetjake të Skënderbeut duket se asnjëherë nuk kalonin më shumë se 3 mijë.

Me marrëveshjen e 26 marsit të vitit 1451 ai u bë vasal i Alfonsit V të Napolit dhe i dorëzoi Krujën njerëzve të tij. Araniti, që kishte zotërime në Shqipërinë jugore (Vageneti, Vlorë dhe Kaninë) e ndoqi shembullin e tij. Araniti ishte autorizuar nga mbreti për të pranuar në emër të tij besatimin e zotërve të tjerë shqiptarë. Kështu Zenebishi dhe të tjerët u bënë vasalë të Alfonsit. Në këmbim, mbreti u pajtua t’u jipte një pension vjetor që shkonte prej 300 deri në 1400 dukatë për secilin nga këta vasalë dhe t’u jepte strehim në raste të rrezikut.

Ky ndryshim i thjeshtë i zotërve ishte qartësisht i kushtëzuar nga fakti se sistemi aragonez dukej më i favorshëm sesa regjimi osman i zotërve shqiptarë. Por siç provohet nga një dokument aragonez ‘njerëzit e rëndomtë nuk kishin ndonjë ankesë ndaj administratës osmane’ (shih C. Marinesco, Alphonse VIII., Mél. de l’école Roum. en France, Paris 1923, 104). Një regjistrim i timareve i bërë më 871/1466-67 përfshiu Dibrën, Gollobërdën, Rekën, Matin dhe Çermenikën (Bašbakalik Archives, Istanbul, Maliye no. 508). Prandaj pas shpeditave të Mehmetit II në 870/1466, sistemi i timarit u shtri edhe në këto treva. Cilado të kenë qenë motivet e tij të njëmendëta, Skënderbeu që u rebelua në male kundër Muratit II (më 852/1448 dhe 854/1450) dhe Mehmetit II (më 870/1466 dhe 871/1467) u glorifikua në të gjallë të tij si ‘Kampion i Krishtit’ nga Papa dhe si Hero Kombëtar Shqiptar nga nacionalistët në shekullin e nëntëmbëdhjetë».

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Kulture

Në Pallatin e Kulturës “Labëria”, u zhvillua faza finale e festivalit “Gurra Folk Fest”, edicioni i VI

Për të gjashtin vit radhazi, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë, në koordinim me Drejtorinë…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Përkujtohet Kuvendi i Besës në Senicë

Në fshatin Senicë, të njohur si “ballkon” i krahinës së Rrëzomës, 254 vite më parë…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Këngëtari grek u kërkon falje shqiptarëve: Faleminderit shumë! Disa herë Greqia ju ka lënduar

Këngëtari grek Andonis Remos ka dhënë një koncert mbrëmjen e djeshme në Pallatin e Kongreseve…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Biblioteka Publike “Dritëro Agolli” Fier, pēr të tretin vit radhazi nderon me çmime lexuesit më të mirë të vitit

Biblioteka Publike “Dritëro Agolli” Fier, pēr të tretin vit radhazi nderon me çmime lexuesit më…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Kadare nominohet për “The Booker 2024”

Në 2005 ishte fituesi i parë i këtij çmimi Shkrimtari i mirënjohur Isamil Kadare, nominohet…

LEXO ME SHUME