Grupi i ekspertëve të Partisë Demokratike zhvilloi sot në selinë e PD, një tryezë në lidhje me krizën e sistemit energjetik shqiptar.
ish-kryeministri Sali Berisha, i pranishëm në këtë tryezë u shpreh se, ky është një problem themelor i Shqipërisë, i Evropës.
“Ka qenë gjithnjë problem kardinal. Tani në hijen e luftës, agresionit rus ndaj Ukrainës, ka marrë përmasa edhe më të mëdha”, tha Berisha.
“Shqipëria është vendi i vetëm në Evropë që ka 3-4 fishuar çmimin e energjisë për bizneset dhe premton të rrisë në mënyrë absurde çmimin e energjisë edhe për konsumatorët. Shqipëria është vendi i vetëm në Evropë që takson naftën mbi 1 euro, që prodhon 1 milion ton dhe është një nga 2-3 shtetet që ka çmimet më të larta në Evropë”, u shpreh ai.
“Shqipëria nuk është një ishull, është pjesë e kontinentit. Megjithë këtë, në rrafshin e energjisë dhe prodhimit të saj, Shqipëria është vendi që duhet të ndjente më pak se çdo vend tjetër, ndikimin mbi energjetikën e kontinentit të agresionit rus mbi Ukrainën, mbasi energjia e saj në masën 96-98% është tërësisht ujore. Jo vetëm ujore, por ajo prodhohet me kosto më të ulët se në çdo vend tjetër të kontinentit”, theksoi Berisha.
Ai shtoi se, “prodhimi i energjisë në Shqipëri gjatë vitit 2021 është më i larti, rekord historik, është 8.9 miliardë kë/orë. Pra, duke patur parasysh këto faktorë dhe nëse analizojmë qëndrimin në menaxhimin e rezervës ujore të Kaskadës, konstaton lehtësisht se shkaku më themelor i krizës energjetikë në Shqipëri nuk është moti, nuk është lufta, por është absolutisht plaçkitja, grabitja, vjedhja në këto sipërmarrje”.
“Shqipëria , nuk besoj të ketë vend tjetër që zbraz digat në kundërshtim me ligjet e saj dhe shet energjinë në emër të liberalizimit të tregut me 42 euro kur ajo në bursë, në të njëjtën ditë, është 130 euro, siç ka ndodhur gjatë verës. Apo blen energji me 300 euro në një kohë kur atë ditë për furnizimin e së cilës është blerë energjia në bursë me 150 euro. Pra, kemi të bëjmë me një rritje çmimesh të diktuara tërësisht nga keqmenaxhimi dhe vjedhja”, u shpreh Berisha.
Ai nënvizoi se, Shqipëria ka platformat e erës ndër më të fuqishmet në Evropë, si dhe ka potencialin më të madh energjetik se në çdo vend tjetër, pas fillimit të gazsjellësit TAP.
“Shqipëria dhe Kosova janë dy vende që në rast se vendosin sistemin unik të komandimit të sistemeve energjetike, në rast se ndërtojnë trurin digjital të sistemit të komandimit, respektivisht kursejnë nga 20% të energjisë”, tha Berisha.
