Një shqiptar ka mbetur i plagosur në Paxos të Greqisë. Bëhet fjalë për 51-vjeçarin Andrea Kalemi. Kalemi kishte shkuar në Greqi për pushime. Siç shkruan Protothema, 51-vjeçari është plagosur në portin e Lakka-s. Dyshimet e para janë për larje hesapesh. Autor i dyshuar i ngjarjes është një bashkatdhetar, i identifikuar nga autoritetet. Ky i fundit ka shkuar atje nga një ishull i Italisë.
Protothema shkruan se shqiptari u plagos pas një sherri që pati fillimisht mes dy personave. Në momentin e krimit nuk ka pasur dëshmitarë, por disa persona thanë se dëgjuan një të shtënë dhe kur dolën jashtë panë një person të shtrirë në tokë. Pas kësaj 51-vjeçari u dërgua në spital ku ndodhet në gjendje të rëndë.
Policia po vijon hetimet për këtë ngjarje, ndërsa është shpallur në kërkim autori. Dyshohet se plagosja e Kalemit ka lidhje me vrasjen e Edmond Papës.
51-vjeçari Andrea Kalemi i njohur edhe si Adriatik Kalemi, i plagosur në një atentat në Greqi nuk është një emër i panjohur për policinë shqiptare. Në vitin 2001 ai rezulton i arrestuar nga forcat speciale RENEA.
Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e drejtësisë belge, pasi akuzohej se në bashkëpunim me vëllain e tij Fatmir Kalemi kishte vrarë vëllezërit shqiptarë Mevlan e Adriatik Çaça, ngjarje e ndodhur në Anderleht të Belgjikës, më 13 prill 2001.
Në vitin 2017 ai është arrestuar në Tiranë së bashku me 2 persona të tjerë pasi duke qenë edhe nën efektin e alkoolit, në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë kundërshtuar punonjësin e policisë në detyrë, duke prishur rendin dhe qetësinë publike, ndërsa një person i katërt që ishte me ata goditi me shufër hekuri në kokë, punonjësin e policisë E. V., i cili u dërgua në spital.
Në vitin 2022 Kalemit i është vrarë me shpërthim eksplozivi kushëriri, Aleksandër Sadikaj. Disa muaj më vonë, në Tiranë u ekzekutua biznesmeni Edmond Papa si shenjë hakmarrje për vrasjen e Sadikajt.
Për vrasjen e Papës u arrestua shoku i Andrea Kalemit, Albano Velo dhe është në kërkim shoku tjetër Andrew Bode. Në dosjen hetimore përmendet edhe emri i Kalemit.
Andrea Kalemi rezulton bashkëpronar i një kompanie me adresë në Memaliaj për tregti tregtisë, import dhe eksport të mallrave industriale, ushqimore, bujqësorë e blegtorale, veshmbathje etj.
