Zjarrfikësit në Indonezi po punojnë për të shuar një zjarr masiv që ka shpërthyer në një nga rafineritë më të mëdha të naftës në vend.
Zjarri shpërtheu në rafinerinë Balongan, të drejtuar nga firma shtetërore e naftës Pertamina, në orën 00:45 me kohën lokale të hënën. Të paktën pesë persona janë plagosur dhe rreth 950 banorë janë evakuuar për siguri, ndërkohë që shumë persona janë raportuar të zhdukur.
Shkaku i zjarrit mbetet i paqartë, ndërkohë që pamjet televizive dhe videot në mediat sociale treguan se zjarri vazhdonte ende të hënën në mëngjes me një tufë tymi që ngrihej lart mbi rafinerinë, e vendosur në provincën West Java.Sipas agjencisë rajonale të menaxhimit të katastrofave, pesë persona po trajtohen në spital për djegie serioze, ndërsa 15 të tjerë për djegie të vogla.