-“Tregu i karburanteve është tregu më i madh në vend ndaj dhe jemi përqendruar shumë fort në këtë treg me qëllim që të legalizojmë dhe legjitimojmë çdo transaksion përmes kuponit tatimor dhe faturës tatimore, qoftë ky një litër, qoftë ky një autobot”.
Kështu deklaroi sot zëvendës kryeministri, Erion Braçe i cili ishte së bashku me Drejtoreshën e Përgjithshme të Tatimeve, Delina Ibrahimaj në një nga karburantet pranë Brrylit në kryeqytet, për një inspektim në kuadër të aksionit kundër informalitetit.
“Do të doja t’ju bëja me dije më në fund që në 25 ditë të shkuara është zhvilluar një kontroll në tregun e karburanteve, kryesisht në zonën Elbasan-Tiranë-Durrës dhe ku për fat të keq ne kemi gjetur evazion fiskal dhe për fat më të keq akoma, kemi gjetur veprimtari kriminale të organizuar. Pikërisht për këtë arsye struktura nga Hetimit Tatimor ka kallëzuar në Prokurorinë e Elbasanit pikërisht këtë aktivitet kriminal dhe për këtë arsye janë vënë në pranga dy ditë të shkuara personat përgjegjës të një kompanie e cila manipulonte kasat fiskale të pompave të karburanteve. I kalonte në regjim manual dhe natyrisht regjimi manual është një regjim i palejuar nga ligji”, tha Braçe.
Dhe, vijoi ai, “për këtë arsye ne jemi rikthyer në tregun e karburanteve, duke filluar nga shumica tek SH.A-të në Porto Romano, të cilat herën e parë i gjetëm në regjim manual, për t’i kaluar sot të gjenden në regjim automatik dhe për të vendosur aparatet e tyre fiskale me qëllim që të mos ketë asnjë lloj mundësie për t’u kthyer pas”.
Ky proces, theksoi Braçe, “do të zhvillohet me çdo pompë në shumicë dhe këtu në pakicë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Çdo pompë do të jetë në regjim automatik, do të jetë e plumbosur dhe pa pasur mundësi më për t’u kthyer me evazion fiskal”.
Braçe u shpreh se nuk do të ketë trajtime preferenciale ndaj asnjë biznesi.
“Në çdo kohë, jo në këtë kohë, por në çdo kohë. Jo vetëm në këtë treg, por në të gjitha tregjet. Nuk e di nëse e keni marrë vesh, por dje gjatë mbrëmjes është mbyllur aktiviteti i një sipërmarrje të madhe mu në mes të Tiranës, “Taivani i famshëm” siç e njohin qytetarët, sepse për herë të dytë u gjet pa kupona tatimorë nëpër tavolina. E njëjta histori do të vazhdojë në mënyrë konstante si sjellje e ligjshme e administratës tatimore dhe natyrisht edhe nga sipërmarrja me qëllim që buxheti i shtetit të marri ato të ardhura që i takojnë në bazë të ligjeve në fuqi. Dhe kjo do të bëhet për të gjithë. Nuk do të bëhet as për një pikë këtu tek Brryli. Jua thashë e kemi nisur ditën e punës bashkë me Drejtoreshën, bashkë me grupet e Metrologjisë dhe të Hetimit Tatimor në Porto Romano, aty ku është qendra e gjithë aktivitetit të karburanteve. Grupe të tjera po vijojnë janë në territor, janë në terren nga veriu deri në jug, me qëllim që të legalizohet çdo transaksion, pa pyetur për emrin e kompanisë. Pa pyetur sesa e madhe është. Pa pyetur sesa xhiro ka. Pa pyetur se kë mik ka. Pa pyetur se kë shok ka. Pa pyetur se kë merr në telefon dhe kush ia hap telefonin dhe kush nuk ia kthen telefonin. Fare, zero”.
Braçe bëri edhe një thirrje për të gjithë bizneset. “E kam një thirrje për secilin. Thirrja është shumë e qartë. Të jenë në rregull me ligjin. Të mos i bien telefonit të kërrkujt në qoftë se nuk janë në rregull me ligjin. Nuk i hapet telefoni. Mund t’i hapet telefoni, nuk e ndihmon kërrkush, deri në momentin që do të rikthehet në ligjshmëri dhe do legalizohet çdo transaksion që kryen”.
Sa i përket cilësisë së karburanteve, Braçe tha se po punohet edhe për këtë gjë. “Drejtoresha po udhëheq një grup shumë të gjerë pune që është i përditshëm që mblidhet çdo mëngjes dhe që natyrisht ka në fokus, jo vetëm çështjen e fiskalizimit, po ka në fokus çështjen e matjes e funksionimit korrekt të gjithë pompave. Natyrisht nga pikëpamja e peshës dhe natyrisht brenda tyre është metrologjia që i është bashkëngjitur këtij grupi dhe brenda tyre është dhe Inspektoriati qendror teknik dhe industrial që merret drejtpërdrejt me cilësinë e karburanteve. Vetëm 8-9 ditë të shkuara një prej kompanive më të mëdha të karburanteve në vend i është bllokuar një sasi e konsiderueshme e jet-fuel që ishte jashtë parametrave të squfurit që përmbante. Kjo histori, po ju them dhe njëherë tjetër, ka filluar dhe nuk mbaron”.
I pyetur mbi efektivitetin e këtyre kontrolleve, Braçe tha se, “mjafton të bëni kontrolle kudo nëpër pika karburanti. Nëse nuk janë me regjime automatike keni të drejtë të thoni që kontrolli nuk është efektiv dhe nuk po sjell produkt. Nga pikëpamja e të ardhurave patjetër ne presim që të verifikojmë deklarimin e shitjeve dhe natyrisht të TVSH-së. Në momentin që këto të ardhura vijojnë të rriten akoma më efektive është e gjithë sjellja jonë në raport me ligjshmërinë e transaksioneve”.
Braçe falenderoi qytetarët që kanë denoncuar rastet e abuzimit nga bizneset. “I falënderojmë ata që na bëjnë të mundur dhe na sinjalizojnë për bare, restorante, hotele, pika karburanti që operojnë në kushte paligjshmërie. Po ndjekim një më një të gjitha sinjalizimet e qytetarëve për këtë gjë. Po doja t’i ftoja qytetarët që kudo ku hasin paligjshmëri në shërbim nga pikëpamja fiskale, pra pa kupon tatimor të na vënë në dijeni”, tha Braçe.
![]()
