Kryeministri britanik Boris Johnson theksoi të enjten e 24 Dhjetorit se Britania e Madhe do të braktisë programin evropian të shkëmbimit për studentët “Erasmus”, si pjesë e marrëveshjes së tij postBrexit e arritur sot me BE-në. Ai shprehet se ky vendim ishte i vështirë, pasi qenë të detyruar për shkak se programi ishte shumë i shtrenjtë për Anglinë. “Ky ishte një vendim i vështirë, por edhe pse ishte një gjë e mrekullueshme të mikprisje aq shumë studentë evropianë, programi ishte jashtëzakonisht i shtrenjtë për Britaninë e Madhe”, theksoi ai.
Kreu i qeverisë konservatore njoftoi, gjithashtu, një program kombëtar për të lejuar studentët britanikë të shkojnë për studime në universitetet më të mira në të gjithë botën dhe jo vetëm në Evropë. Programi “Erasmus”, ku Britania e Madhe bënte pjesë që nga viti 1987, do t’i lërë vendin programit “Alan Turing”, që mban emrin e matematikanit të famshëm britanik.
