Mbrëmë ka qenë një natë e frikshme jo nga tërmetet, por nga rrufetë e shumta që pushtuan qiellin e kryeqytetit dhe të shumicës së territorit të vendit. Ishin 290 rrufe që ranë brenda 10 minutave dhe që janë regjistruar Shërbimi Meteorologjik Ushtarak mbrëmjen e djeshme. Siç shihet edhe në hartën shoqëruese, pjesa më e madhe e rrufeve janë regjistruar në rajonin e Shqipërisë së mesme, kryesisht në Tiranë dhe zonat përreth.
SHMU njofton se e gjithë mbrëmja e së hënës dhe mëngjesi i së martës kanë qenë të dominuara nga reshjet e shiut në formën e shtrëngatave e stuhive. Përmbytje të mëdha janë regjistruar në disa zonë, kryesisht në Fushë Krujë, Laç, por edhe në Tiranë.
“Reshjet e shiut në formën e shtrëngatave e stuhive po ushtrojnë aktivitetin e tyre në qytetet Tiranë, Lezhë, Elbasan. Sasia më e madhe e reshjeve është regjistruar në qytetin Lezhës me 53.0 mm, Shkodrës me 26.0 mm, Tiranës 20.0mm. Kjo situatë është shoqëruar edhe me erë të vrullshme deri në 15-18 m/sek. Për orët në vijim reshjet intensive shoqëruar me shtrëngata e stuhi do të mbeten më të përqendruara në Shkodër, Lezhë, Durrës e Tiranë. Përmirësimi i situatës pritet të vijë gradualisht nesër në pjësën e dytë të ditës”, shkruhet në faqen zyrtare të SHMU.

