Bypass-i në Tepelenë është nga investimet më të mëdha dhe strategjike të zhvilluara ndonjëherë në qytetin jugor të vendit. Bashkia e Tepelenës bën të ditur se “një vit më parë nisi puna për ndërtimin e veprës më të madhe infrastrukturore në qytetin e Tepelenës, e cilësuar si “Ballkoni i Jugut”. Bëhet fjalë për një nga pikat kryesore të rrugës nacionale që lidh rajonin e jugut me kufirin e Greqisë”. “Ky investim i qeverisë shqiptare i dha zgjidhje njëherë e përgjithmonë problemeve në këtë pjesë të rrugës me gjatësi 1.8 km, e cila shpesh herë ishte burim për dhjetëra aksidente të ndodhura gjatë viteve”, – shprehet bashkia. Sipas bashkisë, përveçse zgjidhjes infrastrukturore ky investim po nxjerrë në pah edhe vlerat turistiko- kulturore të kalasë së Ali Pashës. Së shpejti kalaja do të jetë në shërbim të qytetarëve dhe transportit urban, ku përveç sigurisë do kemi edhe një pamje dinjitoze të këtij ballkonit të Vjosës, ku shpesh citohet si pamja më piktoreske që natyra të ofron në zonën tonë. Ndërtimi i bypass-it të Tepelenës do të bëjë të mundur lidhjen e dy segmenteve të rëndësishme, Levan-Tepelenë dhe Tepelenë-Kakavijë, duke lehtësuar në këtë mënyrë qarkullimin, por njëkohësisht duke rritur edhe sigurinë rrugore në këtë segment./k.s/j.p/atsh

