Mjeku i Shërbimit të Sëmundjeve Infektive, Tritan Kalo deklaron se pacientëve të prekur me COVID-19, të shtruar pranë këtij reparti, po u ofrohen mundësitë më të fundmit terapeutike të mjekimit, të të gjitha formave klinike të këtij virusi.
Duke postuar një foto të stafit të këtij shrëbimi, Kalo thekson se një ekip profesionist është në krye të detyrës.
“Jemi këtu në krye të detyrës së bashku me Prof. N. Çomon, Dr. N. Kryemadhin, Dr.M. Qaton, Dr. Dr. A. Domin, Dr. A. Hoxhën si dhe një grup dijeplotë e vullnetplotë Infermjeresh, të mbështetur nga Sanitaret, Koordinatoret,etj. Bashkëqytetarë, ju duhet të bindeni se ato çka lexoni në shtypin botëror në lidhje me mundësitë më të fundmit terapeutike të mjekimit, të të gjitha formave klinike të Covid-19 edhe ne po ua ofrojmë të sëmurëve tanë, për të bërë të mundur shpëtimin e jetëve të tyre”, shkruan Kalo.
Mjeku siguron se nuk mungojnë as mjetet për t’u shërbyer, e as humanizmi.
“Nuk na mungojnë mjetet për të shërbyer, por mbi të gjitha ju sigurojmë se nuk na mungon humanizmi, dija e vullneti ynë për të bërë gjithçka të mundëshme në luftën për jetën e të sëmurëve tanë. Ju duam shumë, na mirëkuptoni dhe na mirëbesoni…Njëkohësisht ajo çka na frymëson është edhe fakti se, Ssolidariteti dhe mbështetja e kolegëve mjekë e infermierë nuk na mungon. Bashkarisht ne do t’ia dalim mbanë”, deklaroi Kalo./a.gjonaj/

