Categories Sport

“E bëri jashtëtokësoren të duket normale” – Pse Messi u zgjodh më i miri i vitit 2019

Guardian e ka publikuar një artikull për ta argumentuar zgjedhjen e Lionel Messit si lojtarin më të mirë të vitit 2019, duke theksuar se Messi është për futbollistët e tjerë ashtu siç është Batman-i për policët e zakonshëm.

Kur Lionel Messi e nisi vrapin, të njëjtën gjë e bëri edhe Diego Simeone anash fushës së lojës. I tërhequr nga ajo që po ndodhte para tij, Simeone u mundua t’i motivojë lojtarët e tij të ndalnin Messin deri në momentin kur e pa se ndodhi ajo që po e priste. Messi e lakoi topin drejt qoshes së portës për ta shënuar një tjetër gol fitoreje në minutat e fundit të ndeshjes, shkruan Guardian. Trajneri i Atletico Madridit e tundi kokën në shenjë aprovimi, duartrokiti dhe i mblodhi supet, e pastaj duartrokiti sërish: Çfarë tjetër mund të bësh? Natën vijuese, Messi e fitoi për herë të gjashtë në karrierë Topin e Artë. “Ti e meriton”, i tha fituesi i vitit të kaluar, Luka Modric, përderisa po ia dorëzonte çmimin.

Rezultati i votave kishte qenë shumë i ngushtë, pasi që Virgil van Dijk mbeti vetëm me shtatë pikë prapa. I njëjti Van Dijk që pas finales së Ligës së Kampionëve kishte thënë: “Nuk e di nëse kam gjasa. Messi është më i mirë”. Kur ishte pyetur një herë për top pesë futbollistët e të gjitha kohëve, Jurgen Kloppi s’kishte mundur t’i emëronte të gjithë, por kishte thënë se argjentinasi është numri një.

Gjatë fjalimit të tij kur po e pranonte çmimin e Topit të Artë, Messi e tha gjënë më të rëndësishme që e ka thënë ndonjëherë: e pranoi se pensionimi i tij nuk është larg dhe se koha e tij po mbaronte. Përgjigja e krijoi një boshllëk te tifozët e Barcelonës, mirëpo ajo që ishte thënë nuk mund të tërhiqej prapa. Ai gjithashtu tha se ishte “ndërtues” e jo golashënues, gjë që është e vërtetë, mirëpo ai ka shënuar më shumë sesa kushdo tjetër në Evropë për të gjashtën herë në karrierë e për të tretën herë radhazi. Por, çfarë arriti me këtë, pyesin njerëzit? Çfarë bëri Messi? Në fund të fundit, ishte një vit zhgënjyes. Barcelona e fitoi vetëm ligën dhe e arriti gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve dhe finalen e Kupës së Mbretit. Vetëm kaq.

Messi ka pasur shumë viktima gjatë 15 vjetëve të fundit dhe njëri prej tyre është edhe vetë ai. Të qenët nënkampion i Kupës së Botës ia fitoi Modricit Topin e Artë dhe epitetin e më të mirit; të qenët nënkampion i Kupës së Botës përdoret si argument kundër Lionel Messit, si dëshmi e dështimit të tij. Ai ishte akuzuar se ishte zhdukur gjatë disfatës 4:0 në maj kundër Liverpoolit në Anfield – por ndoshta kritikët e kanë fjalën për pjesën përveç goditjes së mbrojtur nga Alissoni, dy goditjeve që shkuan vetëm pak mbi portë dhe tri rasteve të arta që ai i krijoi për Jordi Alban, Luis Suarezin dhe Philippe Coutinhon. Në finalen e Kupës së Mbretit, ai e shënoi një gol; një goditje tjetër, që do të kishte qenë në mesin e golave më të mirë të shënuara në finale, u ndal nga shtylla.

Çfarë bëri Messi? Ai luajti më mirë sesa kushdo tjetër gjatë vitit 2019. Ndoshta ai ka luajtur më mirë sesa kushdo tjetër gjatë gjithë kësaj kohe. Në fushë, ai është i pashoq. Loja e tij s’mund të kuptohet siç duhet as nga statistikat e tij mbresëlënëse. Një vlerësim më i mirë i Messit mund të gjendet te reagimet si ai i Simeones – te njerëzit rreth Messit që e kuptojnë atë gjatë ndeshjeve. Një vlerësim më i mirë mund të gjendet në deklaratat që disa njerëz i kanë dhënë për Messin, si ajo e Jorge Sampaolit, që kishte insistuar se “ta krahasosh Messin me dikë tjetër është sikur ta krahasosh Batmanin me një polic të thjeshtë”.

Një vlerësim më të mirë për Messin mund ta gjejmë te deklaratat e kundërshtarëve të tij që kanë thënë se përgatitjet e tyre mund të rezultojnë të pakuptimta nëse dita do të jetë e mirë për Messin. Megjithatë, gjëja më mbresëlënëse është se sa shpesh dita rezulton të jetë e mirë për Messin dhe e keqe për kundërshtarët, që nganjëherë, si në rastin e Real Betisit, vetëm mund ta duartrokasin argjentinasin që po ua shkatërron mbrojtjen.

Simeone mund të ndihet në të njëjtën mënyrë, pasi që edhe ai edhe e pranoi se e kishte nuhatur rrezikun që nga momenti kur Messi e kishte marrë topin në fushë, përkundër që kishte qenë nga distanca. “Me golat e atilla, e gjitha që mund ta bësh është të duartrokasësh”, tha Simeone dhe ai e bëri pikërisht këtë gjë.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Sport

Vasil Ruçi nuk është thjesht një emër në historinë e futbollit vlonjat

Vasil Ruçi nuk është thjesht një emër në historinë e futbollit vlonjat. Ai është një…

LEXO ME SHUME
Categories Sport

Rey Manaj përfshihet në aksident, ku ka rezultuar vetëm dëme materiale

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare dhe i skuadrës së Sivasspor-it, Rey Manaj, është përfshirë në një…

LEXO ME SHUME
Categories Sport

Flamurtari i Athinës, një histori vëllazërie përtej kufijve

Pothuajse në të gjitha shtetet e Europës, por edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës,…

LEXO ME SHUME
Categories Sport

Nesër ndeshja Shqipëri-Angli, policia publikon masat e sigurisë

Policia e Shtetit ka publikuar planin e masave për ndeshjen ndërkombëtare të futbollit Shqipëri –…

LEXO ME SHUME
Categories Sport

Rama reagon pas fitores së Kombëtares në miqësoren me Jordaninë: Kjo Shqipëri të gëzon

Kryeministri Edi Rama, ka reaguar pas fitores 4 me 2 të Kombëtares shqiptare përball Jordanisë,…

LEXO ME SHUME