Kryeministri Edi Rama do të mbledhë ditën e sotme në selinë rozë drejtuesit e rajonit të Veriut. Mësohet se në fokus të diskutimeve do të jetë emërimi i drejtorëve të rinj në Shkodër, një temë që ka hasur në debate të forta mes anëtarëve të Partisë Socialiste.
PS-ja e Shkodrës ndodhet në kolaps që pas largimit të ish-ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, nga detyra e koordinatorit të qarkut. Ngërçi ka vijuar me largimin e kryebashkiakut të zgjedhur të dorëhequr, Valdrin Pjetrit, pasardhësit të Bushatit, pas publikimit nga ana e Partisë Demokratike e dokumenteve për arrestimin për trafik droge, dënimin me 18 muaj burg dhe dëbimin e tij nga Italia. Pas largimit të Pjetrit, Rama ka komandur 4 drejtues, por një prej tyre Arben Pëllumbi deklaroi dje se struktura drejtuese e PS-së në Shkodër është shkrirë.
Dy ditë më parë, mbledhja për emërimin e drejtuesve të bashkisë Shkodër, u shoqërua me tensione pasi PS-ja lokale nuk ka pranuar të zhvillojë procesin zgjedhor në parti. Strukturat partiake të Shkodrës kanë refuzuar Senida Mesin, Luan Harushën dhe deputetë të tjerë duke thënë se nuk mund të punohet pa e ditur se cili është drejtuesi politik i qarkut.
Mësohet se një nga shqetësimet e ngritura në mbledhje ka të bëjë më pushtetin e madh që kreu i qeverisë i ka lejuar Tom Doshit, i cili pavarësisht se kandidon në zgjedhje me logon e partisë Social Demokrate, ka vazhduar të ketë influencë në PS, përmes marrjes nën kontroll të drejtorive në Shkodër.