Një aksident me 1 të vdekur dhe 2 të plagosur rëndë është regjistruar rreth orës 16:10 të ditës së sotme në aksin rrugor Bilisht-Korçë, në afërsi të fshatit Cangonj.
Dy automjete janë përplasur me njëra tjetrën dhe për pasojë janë dëmtuar 3 shtetas, të cilët u transportuan për mjekim në spitalin e Korçës, teksa njëri ka humbur jetën për shkak të plagëve të rënda.
Grupi hetimor po kryhen veprimet procedurale dhe po punon për përcaktimin e shkaqeve të aksidentit.
Rreth orës 16:10, një mjet “Benz” është përplasur kokë më kokë me një mjet Volkswagen Caddy të kuq, çka ka sjellë përmbysjen e këtij të fundit në anë të rrugës, ku u plagosën tre persona.
Viktima, Miranda Malolli raportohet të ketë qenë 50 vjeçe, ndërsa të plagosurit e tjerë kanë mbetur me fraktura, konkretisht thyerje në këmbë dhe në krahë. Sipas të dhënave ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Mjeti Volkswagen shkonte drejt Bilishtit, ku udhëtonte dhe e ndjera, të cilët ishin duke u kthyer në shtëpi. Sakaq, mjeti “Benz” ka qenë duke shkuar drejt Korçës.
Deri më tani, sipas informacioneve ka qenë mjeti tip “Benz”, shkaktar i aksidentit, pasi ka bërë një parakalim të gabuar.
