Një 20 vjeçar me origjinë nga Shqipëria humbi jetën tragjikisht në provincën Castelfiorentino në Firence të Italisë, pasi u godit nga treni. Marko Kaziu mbeti i plagosur rëndë ndërsa mbrëmjen e djeshme zemra e tij pushoi së rrahuri në spital. Në lidhje me ngjarjen reagoi dhe vetë kryebashkiaku i Provincës Alessio Falorni
“Fatkeqësisht, erdhën lajmet që nuk kemi dashur t’i dëgjojmë kurrë. Familja e Marko më tha që zemra e tij pushoi së rrahuri. Një djalë 20 vjeç, një tragjedi që na prek të gjithë ne. Komuniteti i Castelfiorentino bashkohet me familjen e tij duke i shprehur ngushëllimet. U prefsh në paqe”, shkruajti kryebashkiaku.
Por ajo që ka bërë mjaft përshtypje ka qenë fakti se disa nga dëshmitarët kanë qeshur kur kanë parë skenën, kjo pasi i riu kishte kufje në vesh dhe nga pakujdesia nuk e ka dëgjuar trenin t’i afrohej. Dëshmitar i aksidentit që i mori jetën shqiptarit ishte dhe një fotograf italian, i quajtur Francesco Nigi. Ky i fundit në rrjetin social shkruajti mbi qëndrimin aspak serioz që disa kalimtarë të pranishëm mbajtën në lidhje me ngjarjen.
“Gjëja që më tmerroi me të vërtetë ishin njerëzit që qeshën për ketë. Pavarësisht nga gabimet dhe pakujdesia e djalit që kalon rrugën e trenit, nuk është saktësisht më e mira për të qeshur me vdekjen e mundshme të një personi “.