Një gabim njerëzor, e ka quajtur ambasadori i Shqipërisë në Francë Dritan Tola, atë çfarë ndodhi në “Stade de France” në ndeshjen Francë-Shqipëri, por nuk i ka kursyer as ironitë.
Ai vlerësoi faktin që zyrtarët e lartë francezë kërkuan falje për gabimin e bërë, ku në vend të himnit shqiptar u luajt ai i Andorrës, teksa theksoi se kjo gjë nuk ndikon absolutisht në marrëdhënien e mirë mes dy vendeve.
“Ishte një incident fatkeq. Gabimi i bërë ishte njerëzor dhe gabimet mund bëhen kudo. E vlerësoj reagimin e lojtarëve të ekipit kombëtar që nuk pranuar, në sensin e mirë të fjalës, të nisnin ndeshjen pa u luajtur Himni Kombëtar. Falenderoj popullin francez dhe zyrtarët e lartë, të cilët kërkuan falje për gabimin. Kjo është një shenjë e miqësisë së sinqertë midis francezëve dhe shqiptarëve dhe ne i falenderojmë shumë ata”, u shpreh për “Radio France” ambasadori Tola.
Intervistën ai e mbylli me nota ironike.
“Të shpresojmë që ndeshjen e ardhshme që Franca ka me Andorrën të mos luhet himni i Shqipërisë”, përfundoi ambasadori Tola.