Shqipëria do të presë për herë të parë nisjen e madhe të ”Xhiros së Italisë” (”Giro d’Italia Grande Partenza”), një nga turnetë më të famshëm çiklistikë në botë. Turi çiklistik do të nisë nga Durrësi në 9 maj për të vijuar më pas në Tiranë (10 maj) dhe Vlorë (11 maj). Policia bashkiake e Durrësit njoftoi qytetarët se në kuadër të zhvillimit të etapës së parë të garës ndërkombëtare “Giro d’Italia 2025”, e cila do të nisë nga qyteti i Durrësit më 9 maj 2025, do të ketë ndryshime në qarkullimin dhe parkimin e automjeteve. Sipas planit të hartuar nga policia do të ndalohet parkimi datë 08.05.2025, ora 07:00 – 09.05.2025, ora 14:00 në segmentet e rrugëve:
Rruga “Mars 91” (nga rr. “Ligurnika” deri te rr. e Kishës Ortodokse);
Rruga “Taulantia” (nga ish-hotel “Vollga” deri te hotel “Arvi”);
Rruga “Anastas Durrsaku” (nga ish-hotel “Vollga” deri te gjimnazi “Gjergj Kastrioti”);
Rruga e Kalasë (nga “Mulliri i Vjetër” deri te rruga “Sotir Noka”).
Do të ndalohet parkimi datë 08.05.2025, ora 07:00 – 09.05.2025, ora 18:00:
Parkimi publik i shëtitores “Taulantia” (prapa restorant “Piazza”).
Ndalim qarkullimi dhe parkimi datë 09.05.2025, ora 05:00 – 14:00: Rruga “Mars 91”;
Rruga “Egnatia” (nga rr. e Kishës Ortodokse deri te “Taulantia” – hotel “Arvi”);
Segmenti: Torra Veneciane – Bulevardi “Epidamn” – Sheshi “Liria” – Rr. “Aleksandër Goga” – Mauzoleumi i Dëshmorëve;
Rruga e Dëshmorëve – Rruga “Adria” – Ura e Dajlanit – Rruga “Pavarësia” (nga ura e Dajlanit deri te kanali i Kavalishencës).
Siç njofton policia bashkiake do të lejohet qarkullimi i mjeteve të policisë, urgjencës, zjarrfikësve, Ndërmarrjes së Shërbimeve Komunale Durrës, Ndërmarrjes Komunale Plazh dhe Ndërmarrjes Rruga.
Në rast të mosrespektimit të këtyre ndalesave, Policia Bashkiake, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, do të ndërhyjë për largimin e automjeteve të parkuara në kundërshtim me urdhrin, nëpërmjet shërbimit të karoatrecit, sipas parashikimeve ligjore në fuqi.
“Ftojmë qytetarët të tregojnë mirëkuptim dhe të kontribuojnë në mbarëvajtjen e këtij eventi të jashtëzakonshëm ndërkombëtar, duke respektuar ndalesat e përkohshme të parkimit dhe qarkullimit. Bashkëpunimi juaj është thelbësor për një organizim dinjitoz dhe për të treguar mikpritjen që na karakterizon”, njoftoi policia.
GIRO D’ITALIA vjen për herë të parë në Shqipëri! Nga 9 deri më 11 maj, Durrësi, Tirana dhe Vlora do të mirëpresin 180 çiklistë profesionistë nga e gjithë bota, në një spektakël sportiv që e vendos vendin tonë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare. Nga ana tjetër ftohen qytetarët që “të dalin dhe përjetojnë këtë ngjarje madhështore së bashku me familjet dhe fëmijët, përgjatë itinerarit të garës – për të mbështetur sportistët dhe për të festuar së bashku këtë moment historik për qytetin e Durrësit”.
