Gjashtë shtetas janë vënë nën hetim në kuadër të një operacioni policor kundër informalitetit.
Mes tyre janë proceduar penalisht ish drejtori dhe ish përgjegjësi i ALUIZNI-t, në Drejtorinë Rajonale Dibër të akuzuar për shpërdorim detyre.
“Nga kryerja e veprimeve hetimore të deritanishme rezutlon se N.K., 56 vjeç, banues në Tiranë, ish drejtor i Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave / Ndërtimeve Informale dhe E.M., 37 vjeç, banues në Dibër, ish Përgjegjësi i Sektorit ALUIZNI-t, duke qenë të emëruar në detyra drejtuese pranë kësaj drejtorie, dyshohet se me veprimet e tyre në kundërshtim me ligjin kanë shpërdoruar detyrën duke sjellë përfitime të padrejta personave të tjerë, si dhe kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit në mbrojtjen dhe administrimin e territorit,”-raporton policia.
Ndër të proceduarit janë edhe ish drejtues të Qendrës Balneare Dibër:
– I.Q, 54 vjeç, ish Drejtor i Ndërmarrjes
– I.V, 52 vjeç, ish Përgjegjës i Zyrës së Financës
-S.K, 35 vjeç, ish Drejtor i Ndërmarrjes
-E.M, 27 vjeç, të gjithë banues në Dibër
“Këta shtetas duke qënë të emëruar në detyra të ndryshme pranë Qendrës Balneare Dibër, dyshohet se me veprimet e tyre, në kundërshtim me ligjin, kanë sjellë si pasojë mos funksionimin normal të aktivitetit ekonomik dhe administrativ të Qendrës Balneare Dibër, duke ju sjellë përfitime të padrejta personave të caktuar të administratës së ndërmarrjes, në bonuse transporti si dhe kanë shmangur nga taksimi mbi të ardhurat nga shpërblimet punonjësit e kësaj qendre, veprime të cilat kanë cënuar interesat e ligjshme duke i shkaktuar një dëm të konsiderueshëm ekonomik kësaj ndërmarrje (në vlerën e pasqyruar në Raportin Përfundimtar dhe në Vendimin Nr. 154 datë 23.12.2016 të KLSH-së),”-informojnë uniformat blu.
Materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë për hetime të mëtejshme.