Categories Lajme

Historia e 15-vjeçares që lindi fëmijën në koma: Na ndihmoni, nuk kemi as rrugë dhe as infermiere

Emisioni VETTING/ Nga Anila Dedaj

Në 40 shtëpitë e fshatit të vogël Irmath, 34 km larg Gramshit, varfëria shuan pa mëshirë ëndrrat rinore, ndërsa prindërit duan ende të besojnë se fëmijët e tyre do të kenë një të ardhme ndryshe.  Kufijtë mes të qenit fëmijë e i rritur në këto anë shkrihen ashpër, në mungesë të lojërave, arsimimit e të një jetese sociale normale. E tillë është historia e Edmondës, që ndjesinë e frikshme të kutisë së qumështit të foshnjës që zbrazet, pa pasur me se ta zëvendësojë, e provoi sapo kapërceu pragun e fëmijërisë.

15 vjet të mbushura në 20 shtator, teksa përkund djalin e saj 1-muajsh, e ka të pamundur të kujtojë lindjen e tij. 8 shkurti i ardhjes vogëlushit në këtë botë, ka qenë një betejë në kufijtë e së pamundurës për të dhe familjen Mema, ku Edmonda ka shkuar nuse prej fshatit Mukaj ku u rrit.

Ajo nuk mban mend asgjë prej momentit kur atë mëngjes ra në gjendje kome, e tensionit që shoqëronte vjehrrën Sheqeren e dy kunatat, nga brenga se mos i kumbisnin. Me ambulancën e improvizuar një orë larg në këmbë në fshatin Gribë, e pa asnjë mjet udhëtimi a lekë në portofol, duhej një mrekulli për ta shpëtuar familjen nga gjëma e vdekjes.

Një grimë fati në fatkeqësi në këtë 8 shkurt, që qëlloi të jetë edhe kulmi i pandemisë, bën që thirrja e dëshpëruar për ndihmë e familjes Mema, të gjente përgjigje. Një makinë e rastit do t’i çonte në fshatin Gribë, teksa ambulanca ishte lajmëruar. Dy prindërit e Refitit, bashkëshortit 18-vjeçar të Edmondës, së bashku me kunatën u nisën për në Tiranë. Rrugët e pashtruara zgjateshin para syve të tyre e vështirësonin shpëtimin e Edmondës.

“5 minuta më vonë, dhe nuk do të kishin ardhur të gjallë”, u kish thënë mjeku familjarëve. Nën drithërimat e të ftohtit dhe rreptësisë së masave anti-Covid, ata përjetonin ankthin e pritjes. Pas orëve të gjata nipi do të lindte, por fati i Edmondës ishte ende i pasigurt. Sheqerja dhe vjehrri Gëzimi prisnin ditë e natë në të ftohtin e dyerve të spitalit që nusja të thoshte një fjalë.

Vetëm pasi shohin nusen mirë, çifti Mema mund t’i lejojë vetes ca grimca gëzimi për ndjesinë e të qenit gjyshër. E megjithatë, pasi hija e vdekjes është përzënë përkohësisht, s’kanë kohë për të humbur. Për barrën e ilaçeve që do të shërojë Edmondën duhen gjetur lekët. 25 mijë lekë që ata nuk i kanë, e që në mungesë të një borxhi, shteti s’do mund t’ia siguronte. Jeta e 15-vjeçares ishte sërish në rrezik, e varej në zemërgjerësinë e ndonjë të afërmi e të rastësisë.

Kjo ishte hera e parë për tri gratë e familjes Mema që vinin në Tiranë. Edmonda 15-vjeçare nuk kishte udhëtuar asnjëherë përtej Gramshit. Prej dyerve të ambulancës me të cilën u kthye në vendlindje, s’mundi të shihte asgjë prej asaj që ndodh në kryeqytet me bashkëmoshataret e saj.

40 lekëshi i kiles së dëllinjave që Gëzimi mbledh në Mal është pak, për të mbajtur gjallë frymën e 7 anëtarëve të familjes Mema. 1,9 dollarë në ditë nuk arrihen edhe sikur dëllinjat të jenë të zeza, që qëllon të shiten me 10 a 20 lekë më shumë. Kjo do të thotë që kjo familje jo vetëm që është pjesë e 5,8 për qind të shqiptarëve që sipas “Borgen project” jetojnë në varfëri ekstreme, por që e ka tejkaluar çdo ekstrem rezistence. Janë 63 për qind të shqiptarëve që nuk përballojnë dot as gjysmat e nevojave bazike, por Edmonda 15-vjeçare, ka hequr dorë nga shumë prej tyre e s’dëshiron tjetër veçse të veshë e ushqejë të birin.

Në muajin e dytë pas lindjes Edmondës nuk i është larguar velloja e zbehtë. Refiti, bashkëshorti nuk mund të ndihmojë shumë, për shkak të shëndetit të tij të brishtë, rënduar nga gjendja e verbërisë së trashëguar.  Mungesa e një diagnoze të saktë, gjatë këtyre 18 viteve, siç tregon e ëma Sheqerja ka qenë e kushtëzuar prej kostos mjekësore.

Shpenzimet mjekësore për Sheqeren e shqiptarët e tjerë të varfër mbeten një barrë e rëndë. E raporton një realitet të tillë edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, ndërsa thekon se shërbimet spitalore në Shqipëri, përbëjnë një nga burimet kryesorë të varfërisë në vend. Pagesat e xhepit për shëndetësinë, siç dëshmon OBSH kanë shtyrë në varfëri 8 përqind të familjeve shqiptare, ndërsa për 12 për qind të tyre shpenzimet kanë qenë katastrofike, duke lënë nevojat bazë të paplotësuara. Në kushte të tilla për familjen Mema, e drejta për t’u kuruar bëhet një luks i paarritshëm, e përmasat e varfërisë për Edmondën 15-vjeçare, rriten në hapësirën e ngushtë të një dhome ku janë të detyruar të qëndrojnë 7 veta.

Drama e familjes Mema, e të tjerave të ngjashme në periferi, tregojnë qartë se varfëria është një fakt që për t’u lexuar s’ka nevojë për shifra. Atë e gjënë të shtruar, në rrugët plot gropa si të Irmathit të Gramshit, përmes të cilave mund të ecin veçse makinat e shtrenjta… si ato që përdorin politikanët, kur zbrazin premtimet e radhës.  E gjen në shkollat e rrënuara… Madje, edhe farat e fidanët u rëndojnë fshatarëve  trastën e brishtë të bukës së përditshme , ndaj të punuar shikon veç ndonjë copëz tokë. Kjo, nuk është toka e premtuar e 2013-ës./abcnews.al

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

Arrestimi i Agasit, reagon Policia: Pranga edhe Shpatarakut, dhunoi stafin e hotelit në Dhërmi

Policia e Shtetit ka dalë me njoftim zyrtar në lidhje me arrestimin e Ergys Agasit,…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Tragjedi në familjen shqiptare në SHBA, zjarri i merr jetën 3 fëmijëve, detaje

Një tragjedi e rëndë ka goditur një familje shqiptare në Jacksonville të Floridës, ku tre…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Greqi, gruaja prej vitesh dhunohej nga bashkëshorti! 44-vjeçarja kishte vendosur të divorcohej!

Mediat greke kanë zbardhur detaje të reja në lidhje me krimin e ndodhur ditën e…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Dhërmi, arrestohen dy persona, Shisnin doza kokaine dhe kanabisi

Dy persona janë arrestuar në flagrancë pasi shisnin doza kokaine dhe kanabisi në Dhërmi. Në…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Kamioni shpërthen në flakë gjatë ecjes pranë Laçit

Një kamion i tonazhit të mesëm u përfshi sot (25 gusht) nga flakët në rrugën…

LEXO ME SHUME