15 shtetas shqiptarë, shumica nga Durrësi, janë bllokuar që prej ditës së djeshme në portin e Brindizit, pasi nuk kanë mundur të kthehen në Shqipëri.
Sipas tyre, autoritetet italiane i kanë larguar me forcë nga aeroporti, ku po prisnin për të udhëtuar drejt Rinasit, duke u komunikuar se aeroporti do të mbyllej për 24 orë dhe se nuk kishte fluturime drejt Tiranës.
Pas kësaj, ata janë nxjerrë jashtë ambienteve të aeroportit dhe janë udhëzuar të shkojnë në port për të pritur tragetin.
Grupi i shqiptarëve raporton se mes tyre ka edhe persona të sëmurë, ndërsa kushtet në të cilat ndodhen janë të vështira. Ata kërkojnë stabilizimin e situatës dhe ndërhyrjen e institucioneve përkatëse për t’u dhënë zgjidhje sa më shpejt për tu kthyer në atdhe.
Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga autoritetet shqiptare apo italiane lidhur me këtë situatë.
