Një tjetër skenar përplasje mes Interit dhe Juventusit, mes Antonio Contes dhe Maurizio Sarrit. Rivaliteti për afrimin e Chiesa-s dhe Tonalit duket se nuk mjafton në merkaton për të dyja skuadrat, teksa tashmë kanë një tjetër objektiv të njëjtë: Dries Mertens.
Zikaltrit janë gati t’i ofrojnë një kontratë 3-vjeçare me pagë rreth 5 milionë euro në sezon, ndërsa po përdorin edhe kartën Lukaku, shokun e Mertens te kombëtarja belge, që po përpiqet ta bindë këtë të fundit të luajnë bashkë edhe në Milano. Nga ana tjetër në orët e fundit ka qenë Maurizio Sarri që u ka kërkuar drejtuesve të Juventusit të marrin Mertens, pasi tekniku i bardhezinjve ia njeh mirë cilësitë belgut dhe e di se mund ta përdorë në disa role në sulm.
Me Bernardeschin, Higuain e Douglas Costën drejt largimit, belgu Mertens do të shndërrohej në një futbollist të rëndësishëm për skemat e Sarrit dhe një rezervë e mirë si për Cristiano Ronaldon, ashtu edhe Dybala-n. Megjithatë momentalisht klubi bardhezi i ofron sulmuesit vetëm dy sezone kontratë, ndërsa vetë Mertens po shfrytëzon situatën e krijuar nga koronavirusi për ta menduar më mirë të ardhmen e tij.