/ATSH-Gjergji Mima/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në mbledhjen e dytë të Komitetit Kombëtar të Rindërtimit se, duhet bërë një kujdes shumë i veçantë për inventarin e njerëzve të cilëve u është prishur banesa.
“Ka shenja spekulantësh dhe mashtruesish. Ka raste që po i bihen me vare mureve të shtëpisë, me idenë ‘do marrim shtëpi të re’. Me idenë që do e bëjë qeveria, do na e bëjë Elvisi, do na e bëjë Arbri. Kjo histori ka një cak. Dhe unë u them të gjithëve: mos aventura të tilla, sepse faktikisht inventari është ky që është”, – tha Rama. Kryeministri u shpreh se, “Shqipëria ka banesa që janë në situatë kritike më shumë se kaq. Ne kemi bërë një inventar për këto banesa na rezultojnë 2000 e disa qindra banesa si ato banesat që kanë restauruar Elvisi, Arbri, Marini, apo dhe ne. Po ato nuk hyjnë në këtë program. Nuk po bëhet programi për ato”.
Kreu i Qeverisë theksoi se, “programi duhet të jetë shumë i qartë për ata që kanë humbur strehën ose për ata që nuk futen dot se po i bie, që rrezikojnë. Në mos rrezikoftë është bërë e pabanueshme se i është çarë një mur. Në këtë pikë duhet të jem shumë i qartë. Është e pamundur që ne të marrim vetëm shto, shto. Numrat janë pak a shumë këto që janë. Ne do i përditësojmë në të dy drejtimet dhe për të regjistruar ndonjë që s’është regjistruar, por edhe për të çregjistruar ndonjë që është regjistruar pa të drejtë, ose jo për këtë program”.
Kryeministri nënvizoi se, “kemi nëpër hotele edhe njerëz që i kemi mbajtur me mirëkuptim të plotë, sepse janë të traumatizuar etj., etj. Ose janë në shtëpi me qira. Kanë ikur nga shtëpitë me qira dhe tani s’mund të vijnë të thonë që ne duam shtëpi. Shtëpia me qira është aty, është e banueshme, do kthehesh atje dhe do vazhdosh të jesh me qira. Nuk është kjo pjesë”.
“Ndërkohë për qiratë që ne kemi detyrimin, bashkitë duhet të garantojnë marrëveshjen me ata që kanë dhënë qiratë që mos të fillojë historia hajde m’a rrit qiranë, se unë kam klientë etj., etj. Nga ana tjetër ne duhet të bëjmë një kontratë garancie të qeverisë që deri brenda majit të vitit 2021 ne marrim përsipër strehimin tënd. Pra fillon që tani, por është deri në fund. Pra një kontratë individuale me këdo që ta ketë në dorë të firmosur, të vulosur që ky është detyrimi qeverisë ndaj meje dhe cilido që mund të mos marrë atë që i takon sipas kësaj kontrate të ketë të drejtën që me atë kontratë t’i vërë qeverisë penalitete. Vetëm kështu mund t’i shtyjmë gjërat përpara dhe mund të jemi në marrëdhënie korrekte me çdo familje të prekur”, – tha Rama./a.g/
