Ditën e hënë në SHBA do të mblidhet Kolegji Zgjedhor për të votuar zyrtarisht Joe Biden si presidentin e ardhshëm të vendit. Kështu ata do i japin fund edhe përpjekjes së presidentit në largim, Donald Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të 3 nëntorit.
Siç bën me dije Reuters, në SHBA një kandidat bëhet president jo duke fituar shumicën e votave të popullit, por përmes një sistemi të Kolegjit Zgjedhor, i cili mbledh votat elektorale të 50 shteteve dhe Distriktit të Kolumbisë kryesisht bazuar në popullsinë e tyre.
Bazuar në rezultatet e çertifikuara, Biden, fitoi 306 vota elektorale nga 538 vota gjithsej në dispozicion, duke tejkaluar shifrën prej 270 të nevojshme për të fituar zgjedhjet në SHBA. Ndërsa, Trump fitoi 232 vota elektorale. Votat e hedhura të hënën do të dërgohen në Kongres për t’u numëruar zyrtarisht më 6 janar, e cila është dhe faza përfundimtare e procesit të zgjedhjeve të SHBA-së.
