Godina 4-katëshe e konviktit të vajzave të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, i është nënshtruar rikonstruksionit rrënjësor për të ofruar ambiente me standarde të reja.
Ndërtesa e amortizuar do të ruajë vetëm strukturën bazë, ndërsa gjithçka tjetër do të ringrihet rishtaz si një mjedis modern dhe bashkëkohor për 300 studentët e saj.
Drejtoresha e ndërmarrjes së Trajtimit të Studentëve, sh.a Vlorë, Alketa Selami, tha për ATSH-në se “ky investim i qeverisë shqiptare, me vlerë 77.000.000 lekë është i pari i këtij lloji dhe parashikon rikonstruksion rrënjësor. E gjithë godina ka dalë skelet total (karabina). Godina i përket viteve ’60 dhe prej atij viti, nuk është bërë asnjë investim”.
“Projekti është rikonceptuar për t’u gjendur sa më pranë nevojave dhe rehatisë së studentëve. Secili kat, do të ketë në të dyja anët e tij: dushe, tualete, kuzhina, salla studimi, bibliotekë në katin e parë”, – thekson Selami.
Sipas saj, rikonstruksioni parashikon sistem të ri elektrik, sistem të ri hidraulik, sistem të ri ngrohje qendrore, dhoma të standardizuara dyshe.
“Rikonstruksioni i godinës parashikon edhe dy dhoma për studente me aftësi të kufizuara sipas standardeve bashkëkohore”, – shton Selami.
Drejtoresha Selami shprehet se “punimit po ecin me ritme të shpejta, ka përfunduar hidroizolimi i godinës, ndërsa po punohet për mjediset e brendshme”.
Selami bën të ditur se së shpejti do të fillojë puna edhe për rehabilitimin e terreneve sportive.
“Pas vizitës së kryeministrit për mbarimin e punimeve të godinës do të fillojë faza e dytë e rehabilitimit të terreneve sportive, e cila do të përfshijë brenda mjediseve të trajtimit të studentëve Vlorë edhe palestrën e vjetër të qytetit. Kjo risi vjen si propozim nga kryeministri Edi Rama, gjatë vizitës së inspektimit të fillimit të punimeve”, – tha Selami.
Rikonstruksioni i kësaj godine është pjesë e projektit të qeverisë, ku përfshihen edhe rikonstruksioni i godinave të Korçës dhe Shkodrës.








