Categories Lajme

KPK jep vendimin për Pranvera Pustinën

Shefja e kabinetit të Prokurorit të Përgjithshëm, Pranvera Pustina është konfirmuar në detyrë. Ky ka qenë vendimi i dhënë pak minutas më parë në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, nga trupa gjyqësore e kryesuar nga Genta Tafa Bungo, me relatore Suela Zhegun dhe anëtare Etleda Çiftjen. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Steven Kessler.

Pranvera Pustina ka përfunduar studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2011 dhe fillimisht është emëruar prokurore në Prokurorinë e Krujës. Në vitin 2015, Pustina u transferua në Prokurorinë e Krímeve të Rënda, ndërsa prej janarit 2020 ajo është komanduar në pozicionin e shefes së kabinetit të Prokurorit të Përgjithshëm, Olsian Çela.

Relatorja Zhegu pohoi në fillim të seancës dëgjimore, që u mbajt 5 ditë më parë, se prokurorja Pustina kishte shpjeguar në deklaratën veting se nuk kishte asnjë kontribut në pasurinë e krijuara nga bashkëshorti i saj, para dhe pas martesës. Zhegu renditi pasuritë në pronësi të bashkëshortëve Pustina, për të cilat nuk u identifkua asnjë problem nga Komisioni.

Zhegu tha se përputheshin deklarimet e subjektit të rivlerësimit për truall-ullishte me sipërfaqe totale 8700 m2 në blerë në vitin 2016 për shumën 25 mijë euro, ku edhe ishin kryer investime në vitet e mëvonshme.

Gjithashtu, Komisioni nuk evidentoi probleme për aksionet e bashkëshortit në disa shoqëri mes tyre edhe 45.5% në studion ligjore Tashko Pustina sh.p.k.; për pronësinë e një bar-kafeje, për likujditetet si dhe në blerjen e një autoveture në vlerën e 23 mijë eurove.

Për një apartament të blerë nga bashkëshorti i prokurores Pustina në vitin 2005, para martesës, për vlerën 53 mijë euro, Komisioni ka evidentuar se kontrata fillestare e sipërmarrjes ka qenë për çmimin në shumën 86 mijë e 400 euro.

Zhegu tha se nga verifikimet dhe deklarimet e bashkëshortit dhe të kompanisë së ndërtimit, ka rezultuar se ishte ndryshuar projekti dhe se apartamenti ishte dorëzuar pa kryerjen e punimeve të brendshme. Sipas relatores, ndryshimi i projektit dhe dakordësisë fillestare kishte qenë shkak i ndryshimit të çmimit të apartamentit.

Në seancë u evidentua edhe blerja e të drejtave mbi një apartament me sipërfaqe 107 m2 në një fshat të Kavajës, në proces legalizimi, për vlerën 69 mijë euro. Komisioni konstaton se për këtë pasuri deri tanimë është paguar vetëm kësti i parë në shumën 34 mijë euro.

Komisioni konstaton se bashkëshorti i prokurores Pranvera Pustina ka pasur burime të ligjshme të mjaftueshme për krijimin e të gjitha pasurive. Sipas relatores Zhegu, deklarimet e subjektit përputhen me dokumentet e verifikuara nga KPK. Gjithashtu, nga hetimi administrativ nuk është konstatuar që prokurorja Pustina të ketë hetuar ndonjë çështje ku palë kanë qenë shitësit e këtyre pasurive apo shoqëritë ku bashkëshorti rezulton aksioner.

Në fund të seancës dëgjimore, vëzhguesi ndërkombëtar Steven Kessler e pyeti prokuroren Pustina lidhur me mosshlyerjen e këstit të dytë të apartamentit në Kavajë. Ai e pyeti nëse mund ta konsideronte si dhuratë faktin që kësti nuk ishte shlyer ende, ndërkohë që nuk kishte ndonjë tarifë penalizuese për vonesën.

“Nuk është një dhuratë. S’ka asnjë indicie që është dhuratë,” deklaroi Pustina dhe shpjegoi se sapo kësti i dytë të shlyhej, do ta pasqyronte në deklaratën e vitit përkatës.

Pustina u shpreh se për shkak edhe të detyrës që kryente, së bashku me bashkëshortin kishin qenë gjithonë të kujdesshëm dhe shterues në plotësimin e deklaratave. “Për mua ka shumë rëndësi integriteti, gjithashtu edhe për bashkëshortin po ashtu,” tha ajo në seancë.

Prokurorja Pranvera Pustina u vlerësua pozitivisht për kriterin e pastërtisë së figurës dhe profesionalizmin.

Ajo u pyet në seancë për 2 prej 4 denoncimeve të kryera nga publiku. Një prej denoncimeve ishte kryer nga R.I., e cila kishte qenë denoncuese e ish-gjyqtarit të Gjirokastrës, Guximtar Boçi, i shkarkuar në tetor të 2016 pas shfaqjes së një audio-regjistrimi në emisionin “Stop” të TV Klan, ku ai kërkonte favore seksuale në këmbim të një vendimi gjyqësor.

Sipas Zhegut, denoncuesja R.I. ankohet ndaj prokurores Pustina dhe subjekteve të tjera të rivlerësimit për tjetërsim të provave në gjykim.

Prokurorja Pustina shpjegoi në seancë dëgjimore se ajo kishte qenë prokurore e gatshme dhe nisur edhe nga fakti se çështja ishte mjaft sensitive, kishte vepruar menjëherë duke i caktuar detyra konkrete edhe oficerit të Policisë Gjyqësore.

“Denoncueses i kemi ofruar mbështetje ligjore dhe psikologjike,”pohoi Pustina dhe shtoi se kishin administruar edhe një provë të re, që kishte depozituar I.R. Ajo tha se e kishte të vështirë të kuptonte se përse I.R. kishte kryer denoncim ndaj saj, ndërkohë që sqaroi se kjo çështje nuk ishte hetuar vetëm prej saj. Pustina shpjegoi se pasi u konstatua që i kallëzuari nuk kishte kryer korrupsion, por një vepër tjetër penale, çështja ishte deleguar në prokurorinë kompetente.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

Nga Bangkoku drejt Italisë me valixhen e mbushur me drogë, shqiptari arrestohet në “Malpensa”

Shqiptari zbarkoi në aeroportin e “Malpensës” në Milano, ndërsa zbriti nga avioni i linjës së…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

AMP operacion në Sarandë e Ksamil për ndërtimet pa leje, dyshohen efektivë të përfshirë në aktivitete të paligjshme

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur një operacion në Sarandë, Ksamil dhe në disa zona…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Gjendet i pajetë në banesë 60-vjeçari në Maliq

Një 60-vjeçar gjendet i pajetë në fshatin Zëmblak të bashkisë Maliq. Sipas informacioneve paraprake, mësohet…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Pranga autorëve të vjedhjes/ Tiranë, grabitën para dhe bizhuteri në një apartament më 8 maj

Dy persona janë vënë në pranga nga komisariati nr 3 në kryeqytet të dyshuar për…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Mungesë infrastrukture në Fushë-Mamurras! 100 familje pa rrugë dhe një urë në rrezik shembjeje

Rruga në pjesën e poshtme të Fushë-Mamurrasit, pranë Lumit të Drojës, në kufirin ndarës mes…

LEXO ME SHUME