Zv.Sekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Rose Gottemoeller ndodhet në një vizitë zyrtare në Tiranë.
Gjatë një konference të përbashkët për mediat me Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, ajo tha se e vlerëson kontributin e Shqipërisë në NATO, duke u shprehur se në këtë dekadë është treguar se Shqipëria brenda NATO-s na bën më të sigurtë.
Gottemoeller u shpreh edhe për situatën në rajon duke thënë se NATO ka përforcuar angazhimin praktik të mëtejshëm në Ballkanin Perëndimor.
“NATO mbështet dialogun e suportuar nga BE midis Prishtinës dhe Beogradit, si e vetmja mënyrë për paqe dhe stabilitet në rajon. Mbështetemi tek Shqipëria që të vazhdojë të përdorë influencën e saj në këtë process. Nga ana tjetër Beogradi dhe Prishtina duhet të tregojnë qetësi dhe vetëpërmbajtje”, – tha zyrtarja e NATO-s.
10 vjetori i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO përkon me 70 vjetorin e themelimit të kësaj aleance dhe Gottemoeller tha se e mirëpret me kënaqësi Shqipërinë në këtë kremtim.
Nga ana e tij, Bushati u shpreh se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është arritja më e madhe pas shembjes së komunizmit dhe kjo është arsyeja që ne përpiqemi të prodhojmë stabilitet në rajon dhe më gjerë.
“Ne e vlerësojmë këtë arritje edhe duke zbatuar angazhimet në praktikë dhe nga ana tjetër duke u përpjekur për të projektuar dhe rezonuar më shumë stabilitet demokratik në Ballkanin Perëndimor dhe në Europën Juglindore”, -theksoi ai.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme tha se, Shqipëria ka një rritje në shpenzimet për buxhetin e mbrojtjes, sikundër – bëri të ditur ai – do të vijojë që të japë kontributin e saj nëpër misionet dhe operacionet që drejtohen nga NATO.
Dy zyrtarët shkëmbyen edhe pikëpamje rreth situatës së sigurisë në rajon. Ministri Bushati vlerësoi rolin e KFOR-it në Kosovë, duke e konsideruar një spirancë stabiliteti për Kosovën dhe më gjerë.
