Një breshëri kallashnikovi i mori jetën Martin Bardhit mesditën e kësaj të marte në lokalin e tij, në qendër të Rrëshenit. 62-vjeçari, personi që shihni në foto, i njohur edhe me mbiemrin Marku, ishte ulur në kafene me disa të afërm të tij kur 2 persona të maskuar, pasi lanë makinën përballë, u futën brenda dhe qëlluan mbi të.
Plumbat i shkaktuan vdekjen e menjëhershme Bardhit, ndërsa 3 personat e tjerë mbetën të plagosur. Ata u dërguan në spitalin e Traumës në Tiranë, për ndihmë të specializuar mjekësore. Atentati zgjati vetëm pak sekonda. Me të zbrazur breshëritë, autorët u larguan. Makina e përdorur prej tyre u gjet e djegur në fshatin Gëziq të Mirditës.
Mjeti i llojit “Jeep Cherokee” ngjyrë e zezë, për të cilin po kryen verifikime se kujt i përket dhe nëse është denoncuar e vjedhur, është djegur plotësisht, siç duket edhe në pamje. Marku, është person i njohur për autoritetet, teksa në muajin mars të këtij viti bashkë me djalin dhe nipin e tij u përfshinë në një konflikt me armë zjarri në dalje të qytetit të Rrëshenit. 62-vjeçari u arrestua dhe sipas informacioneve kishte fituar lirinë në rrethana ende të paqarta disa kohë më parë, teksa në kërkim ishte djali dhe nipi i tij.
