Categories Lajme

Liderët autoritarë sundojnë përmes frikës

Si shumë njerëz, dhe unë jam e shqetësuar për rritjen e valës së populizmit të djathtë, nacionalizmit dhe polarizimin që ka ndodhur në mbarë botën. Brenda disa vitesh, kemi qenë dëshmitarë të zgjedhjes së presidentit në SHBA të Donald Trumpit, votimit pro Brexit në Britaninë e Madhe, ngjitjen në pushtet të Mateo Salvinit në Itali, Viktor Orbanit në Hungari, të Partisë së Lirisë në Austri, dhe Partisë Ligj dhe Drejtësi në Poloni. Për një kohë të gjatë, e kam pyetur veten se çfarë e shpjegonte tërheqjen e njerëzve ndaj këtyre lëvizjeve. Ato dukeshin si një përjashtim nga një rregull i përgjithshëm i progresit drejt dhe jo larg normave demokratike. Por këtë vit arrita në një përfundim tjetër:është demokracia një përjashtim i çmuar nga rregulli. Dhe ajo është jashtëzakonisht e brishtë, për një arsye të thjeshtë: mallin e njerëzve për rend dhe siguri, sapo nis të ndihet prania e kaosit. Filozofi dhe psikologu Erik From, e identifikoi për herë të parë këtë problem në librin e tij të vitit 1941 “Arratisja nga Liria”. Thelbi i librit është ky:kur njerëzit perceptojnë një rritje të rrëmujës, ata ndjejnë një ankth të jashtëzakonshëm.

Dhe në mënyrë të pashmangshme, ky ankth çon në një kërkesë për siguri. Dhe për të rikthyer një ndjenjë të sigurisë në jetën e tyre, ata e mbështesin autoritarizmin dhe konformitetin. Siç e vuri në dukje From, kjo çon shpesh në një “gatishmëri për të pranuar çdo lloj ideologjie, dhe cilindo udhëheqës, mjaft që ai të ofrojë një strukturë politike dhe simbole, që supozohet se i japin kuptim dhe rend jetës së një individi”. Ai e kishte vërejtur këtë në Gjermani, nga ku u arratis në vitin 1933: “Njeriu modern është ende në ankth, dhe tundohet t’ia dorëzojë lirinë e tij diktatorëve të të gjitha llojeve”, shkroi ai. Disa dekada më vonë, unë dhe psikologë të tjerë kemi treguar me fakte, se si pasiguria lidhet me ngjitjen e autokratëve në pushtet, dhe me erozionin e demokracisë.

Në një studim që kemi kryer para zgjedhjeve presidenciale amerikane në vitin 2016, ne pyetëm qytetarët se sa të frikësuar ishin ndaj kërcënimeve të ndryshme, si emigracioni i paligjshëm, mungesa e vendeve të punës, krimi, terrorizmi apo një sulm nga Irani. Ata reaguan pozivitisht ndaj deklaratave që synojnë të vendosin rregulla më të rrepta, dhe mbështesnin kandidatët që artikulonin premtime të tilla, përfshirë Trumpin. Ne kryem të njëjtin studim në Francë në vitin 2017, duke matur mbështetjen për kandidatn Marin Lë Pen.

Rezultatet e të dyja studimeve ishin domethënëse: njerëzit që ndiheshin të kërcënuar donin forcim të rregullave, dhe mbështesnin Trumpin në SHBA ose Lë Penin në Francë. Studime të tjera, konfirmojnë të njëjtin model.Kërcënimet ekonomike, dhe hendeku në rritje midis të pasurve dhe të varfërve, krijojnë gjithashtu një ndjenjë kaosi dhe destabiliteti. Kjo ka sjellë një mbështetje të shtuar për udhëheqësit e dorës së fortë, që janë të gatshëm të sfidojnë vlerat dhe praktikat demokratike. Ky është një parim i thjeshtë dhe në jetën e përditshme.

Kur njerëzit ndihen të kërcënuar, nga një fakt real apo imagjinuar, ata fillojnë të përgatiten. Në aspektin fizik, forcojnë muskujt e tyre, dhe janë të gatshëm të vetëmbrohen. Në aspektin politik, nisin të dëshirojnë sigurinë dhe rendin në një komunitet që duket se po shkatërrohet. Udhëheqësit autoritarë e plotësojnë këtë nevojë, duke premtuar zgjidhje të shpejta, të thjeshta. Dhe mbi të gjitha, një rikthim tek një rend më i ashpër si dikur. Liderët janë të vetëdijshëm për këtë psikologji bazike, dhe i zmadhojnë kërcënimet për të fituar popullaritet. Dhe Donald Trump e bëri këtë në një mënyrë mjeshtërore:në tubimet elektorale të viteve 2015-2016, ai i paralajmëroi turmat e tij të mbështetësve, se SHBA-ja ishte një vend në “prag të katastrofës”. Ai përmendi meksikanët që po sillni dhunë nga përtej kufirit, marrëveshjet e tregtisë globale, dhe emigrantët që vjedhin vendet e punës, apo myslimanët e radikalizuar që komplotojnë akte terroriste në territorin amerikan.

Gjatë gjithë fushatës së tij, ai dërgoi mesazhin e qartë se ishte i aftë të rivendoste rendin social: “Vetëm unë mund ta bëjë këtë”. Duke analizuar fjalimet e fushatës, ne zbuluam se Trump përdori një gjuhë shumë më kërcënuese sesa Hilari Klinton. Për të forcuar demokracinë, ne duhet të merremi me psikologjinë e kërcënimit. Disa nga kërcënimet, si humbja e vendeve të punës të mirë-paguara janë reale. Ne kemi nevojë të bashkëpunojmë me ata që janë në vështirësi, në vend se të shpërfillim frikën e tyre, dhe të zhvillojmë zgjidhje inovative, veçanërisht për ata që kanë mbetur pa punë nga rënia e prodhimit, dhe për shkak të revolucionit të Inteligjencës Artificiale. Por kërcënimet e tjera janë të ekzagjeruara, dhe fatkeqësisht prodhojnë të njëjtën parapërgatitje dhe armiqësi. Për shembull, në studimet tona, ne zbuluam se amerikanët e mbivlerësojnë shumë përqindjen e njerëzve që emigrojnë në rrugë të paligjshme.

Sa më i madh që ishte një keqkuptim i caktuar, aq më shumë njerëz u shprehën se do të votonin për Trumpin edhe në presidencialet e vitit 2020. Ironikisht, shumë kërcënime reale – përfshirë dhunën dhe sëmundjen – janë injoruar për vite me radhë, por kërcënimet e fabrikuara ose imagjinare vazhdojnë ende. Tani më shumë se kurrë, ne kemi nevojë të gjejmë rrugët për të luftuar keqkuptimet, që po fillojnë të sabotojnë demokracitë. Ne nuk mund t’i marrim si të mirëqena këto parime të brishta politike. Kjo nuk është një çështje e fshirjes së personaliteteve të veçanta, apo e ndryshimit të disa vendimeve. Por e adresimit të faktorit që i bën tërheqës liderët autoritarë:ndenja e përhapur e një kërcënimi në rritje.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

Mbante peng dy fëmijët e mitur në banesë, lihet në burg Aleks Marku

Aleks Marku, 40-vjeçari i cili u arrestua pak ditë më parë pasi mbante peng fëmijët…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Eni Vasili bllokohet në ashensor me 2 vogëlushet: Shtet që nuk garanton asnjë standard jetese normale

Moderatorja Eni Vasili ka kaluar një situatë aspak të këndshme me dy vajzat e saj…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

“Mirror”: Shqipëria, destinacioni i ri mesdhetar me plazhet më të bukura në Evropë

Një vend dikur i ndaluar për turistët britanikë, tani i shndërruar në një nga pikat…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Humb jetën tragjikisht 22-vjeçari shqiptar në Greqi

Një 22-vjeçar shqiptar ka humbur jetën në mënyrë tragjike në Greqi. Mediat greke bëjnë me…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Shkrumbohet mjeti në lëvizje në Radhimë-Vlorë, shpëton mrekullisht shoferi

Një mjet është përfshirë nga flakët në ecje në aksin Radhimë-Vlorë. Ngjarja ndodhi në vendin…

LEXO ME SHUME