Në kongresin e PS, që nisi punimet sot ka mbajtur një fjalim edhe bashkëshortja e kryeministrit dhe kreut të PS, Edi Rama.
Linda Rama në fjalën e saj vuri theksin tek fëmijët, për të cilët tha ajo duhet të punojmë më shumë.
Duke vlerësuar të gjitha ato çka janë bërë në qeverisjen e PS, Linda theksoi mungesën e një Teatri për fëmijë, festival për fëmijë, madje shkoi më tej duke thënë se bashkëshorti i saj nuk i ka dhënë një argument bindës pse nuk ka sistem funksional të klasave sportive në shkolla.
Linda Rama: Është qartë pse duhet të kemi një Teatër të Operës dhe Baletit, një Teatër të Ri Kombëtar apo salla të tjera si ArTurbina, të tjera zona me standarde evropiane. Po a mund të jemi të qeta ne, nënat e këtij vendi kur i vetmi teatër i fëmijëve është ende Teatri i Kukullave, një hije e ftohtë e atij që ishte kur Tirana ishte 5-fish më e vogël se Tirana e sotme. Ose pse dhe si ka mundësi që falë fondeve publike të mbijetojë një megashou televiziv në kohën e konkurrencës së lirë si Festivali i Këngës në RTSH, ndërkohë që më i madhi duhet të ishte një festival kombëtar dhe pse jo mbarë shqiptar i fëmijëve.
I bukur shumë është stadiumi i ri kombëtar dhe bukur janë bërë gjithë stadiumet e tjera, që me siguri janë më pak sesa ato që i duhen Shqipërisë që ka nevojë për futbollin. Por a ma thotë dot njeri, sepse Edi asnjëherë nuk më ka dhënë një argument bindës pse nuk kemi një sistem funksional të klasave sportive për fëmijët në shkolla.
Më në fund dëgjova që kopshti zoologjik i Tiranës do të ndërtohet sipas standardeve evropiane, shpresojmë që këtë herë do të ndërtohet. Por pse mua nuk më duket e pamundur që të kemi kopshte të bukur kafshësh të buta edhe në zona të tjera të vendit ku fëmijët mund të kalojnë kohë dhe të mësojnë për to.
Bukur është punuar për të zgjeruar rrjetin e shkollave qendra komunitare.
/Ora News.tv/
