Disa prej yjeve të kombëtares shqiptare në vite, si dhe kampionë të njohur të futbollit italian, grek dhe turk do të zbresin mbrëmjen e 10 janarit në stadiumin e ri “Air Albania” për ndeshjen e bamirësisë. Organizatorët kanë publikuar listën e plotë të lojtarëve nga katër shtetet. Emra si Cana, Murati, Strakosha, Bogdani, Duro, Raklli, Hasi, Beqaj dhe Tare do të përfaqësojnë Shqipërinë.
Nga Italia do të luajnë në këtë sfidë, ish-futbollistë të njohur si Zambrotta, Tomassi apo Di Biagio. Greqia do të përfaqësohet me disa prej kampionëve të Europës të vitit 2004 si Charalampos dhe Gekas. Nuk mungojnë dhe yjet e futbollit turk si Altintop apo Rustu. Ashtu siç është bërë më parë e ditur, të ardhurat nga shitja e biletave do të shkojnë në ndihmë të të prekurve nga tërmeti i 26 nëntorit.




