Ka shkuar në 10 numri i të arrestuarve nga operacioni “Transferta”, ku personat e përfshirë mashtronin përmes Facebook-ut, duke përfituar 38 000 euro. Sipas policisë, në vijim të operacionit policor të koduar “Transferta”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e krimeve kompjuterike, finalizuar një muaj më parë dhe si rezultat i të cilit u vunë në pranga 9 shtetas, ka vijuar puna me hetime të thelluara. Në vijim të hetimeve, nga shërbimet e Policisë u bë kapja e shtetasit Sh. B, për të cilin Gjykata kishte vendosur masën e sigurimit “Arrest në burg”, për veprën penale “Mashtrim kompjuterik”.
Policia thekson se, ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasit e tjerë të arrestuar, për një periudhë 1-vjeçare, ka ndërhyrë në llogari të ndryshme të rrjetit social Facebook, duke ndryshuar të dhënat e tyre dhe më pas i kanë përdorur për të komunikuar me miq të këtyre llogarive. Me anë të mashtrimit kanë kërkuar shuma të ndryshme monetare dhe si rezultat kanë përfituar shumën 38000 euro. Policia sqaron se, vijon puna për dokumentimin dhe mbledhjen e provave të tjera, si dhe për evidentimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të kundërligjshëm.
