Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj ishte sot në Berat, në kantinën e verës “Nurellari”, ku me vizion e punë është ndërtuar një biznes i suksesshëm dhe një strukturë e bukur mikpritjeje, për të kaluar natën në bujtinën pranë kantinës. Falë edhe mbështetjes nga AZHBR-ja, ky biznes familjar do të rrisë edhe më tej kapacitetet prodhuese dhe ato akomoduese për të pritur turistët vendas e të huaj. Denaj u shpreh se “skema e mbështetjes financiare për të nxitur dhe promovuar produktet e certifikuara “Made in Albania”, po jep rezultate mbresëlënëse”.
“Deri tani ju keni pasur mbështetjen edhe të fondeve të IPARD por edhe të mbështetjes së fondeve nacionale. Sot gjithnjë e më tepër ndihemi krenar për prodhimin vendas dhe nuk e bëjmë vetëm për atë që është blerje patriotike, sepse shija nuk lidhet me patriotizimin, por do të thotë se cilësia ka arritur në atë standard që të jetë konkuruese dhe të jetë në tavolinat tona”, tha ajo.
Denaj shtoi se “janë mundësitë për t’u gërshetuar të dyja, skemat e IPARD dhe mbështetja me Garancitë Sovrane”. “Skema e IPARD-it ka nevojë edhe për t’u disbursuar pasi investimi ka ndodhur. Që të ndodhë investimi të duhet një financim, kështu që skemat e kreditimit janë ato që janë më të nevojshme. Garancia në kreditim është e rëndësishme për t’i treguar jo vetëm biznesit mbështetjen e qeverisë, sidomos për automatizim të plotë, por edhe bankave që shpesh e kanë hezitimin për të kredituar sektorin e bujqësisë apo agropërpunimit”, tha Denaj.







