Edi Rama deklaroi sot i kemi dhënë gjithçka është e arsyeshme t’i jepet sektorit të turizmit në këtë situatë. “I kemi shtyrë të gjitha detyrimet për këtë vit, nuk kanë asnjë detyrim për të paguar”, u shpreh Kryeministri gjatë konferencës me Ambasadorin e BE-së në Tiranë në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve.
Rama theksoi me tej, se instrumenti i parë i garancisë sovrane ka filluar të funksionojë dhe kompanitë që përfitojnë prej saj shtohen dita-ditës. “Instrumenti i dytë ka hyrë në funksion ditët e fundit dhe jemi të bindur se si një instrument për mbështetjen e turizmit, e fasonerisë dhe ndërmarrjeve prodhuese për kapital qarkullues është i duhuri”, deklaroi Rama. Ne besojmë, tha ai, se goditja që ka marrë turizmi është reale, por mundësitë që i janë dhënë për t’u mbrojtur nga pasojat e kësaj goditjeje në një masë të madhe, janë të përballueshme. “Jemi duke parë edhe se çfarë po bëjnë të tjerët dhe do të shkojmë përpara për të hapur sezonin me shumë kujdes”, bëri të ditur Kryeministri.