Ishte vetëm 17 vjeç kur vendosi të arr.atisej, por shokët e spiunuan dhe përfundoi në b.u.rg, duke provuar to.rturat më të tm.errshme. Por go.ditjen më të f.o.rtë, do ta merrte në gjygj, ku hetuesit i sollën të regjistruar zërin e babait të tij që thoshte: “Nuk është më djali im nëse ka dalë kundër sistemit komunist”. Kjo është historia e Nevruz Golkës nga Korça, që kaloi 20 vitet më të bukura të jetës në Spaç dhe nuk pati një shtëpi ku të kthehej kur doli nga b.ur.gu komunist
Nevruz Golka është një nga të persekutuarit e regjimit komunist, për të cilin kalvari i vuajtjeve fillon që në moshën 17 vjeçare. Për Golkën, Shqipëria e diktaturës komuniste nuk ishte një vend i cili mund t’i siguronte të ardhmen, pasi ai ishte një fëmijë me një prind të dënuar politik që në fillim të sistemit komunist dhe prishja e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik në 1961, ndërpreu të gjitha rrugët që të rinjtë shqiptarë të kryenin studimet jashtë shtetit. Kështu, e vetmja mënyrë për t’u larguar nga Shqipëria komuniste ishte nëpërmjet kufirit. Por kjo iniciativë ndërpritet në mes, duke përjetuar hakmarrjen komuniste, e cila ishte e pamëshirshme. Kalvari i vuajtjeve dhe persekutimit të tij nis pikërisht ditën e arrestimit, 15 nëntor 1963, dhe përfundon pas 20 vjetësh, në nëntor të vitit 1983. Nevruz Golka dënimin e tij, e vuajti në burgun e Spaçit, i cili u bë edhe një nga dëshmitarët okularë të revoltës. Dëshmon për vendosmërinë e të burgosurve për liri dhe se si kjo revoltë tronditi nga themelet regjimin komunist, duke shkaktuar panik te udhëheqja e lartë komuniste në Tiranë. Sprova e tij më e madhe është kur ai lirohet dhe duhet të kthehet tek babai i tij, me të cilin nuk kishte pasur korrespondenca gjatë gjithë kohës që ishte në burg, i vetëdijshëm që nuk do pranohej nga ai. Sot, ai është 75 vjeç, një aktivist dhe vullnetar në mbrojtjen e të drejtave të ish-të përndjekurve në qytetin e Korçës.
Golka, cila është origjina e persekutimit tuaj?
Historia e persekutimit tim fillon që në moshën 17 vjeçare. Edhe pse unë kisha patur një formë diferencimi shoqëror që më përpara, pasi babi im ishte dënuar me burg që në fillim të sistemit komunist, me akuzën për realizimin e një grushti shteti për përmbysjen e demokracisë popullore. Por momenti i arratisjes ishte vendimtar për persekutimin tim. Në vitin 1961, kur u prishën marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, përpos të tjerave, u ndërpre edhe rruga e studentëve për të studiuar jashtë shtetit. Kështu që ne vendosëm të largoheshim nga Shqipëria komuniste në një mënyrë tjetër. Ishim një pjesë studentësh që kishim të njëjtin mendim dhe vendosëm të arratiseshim nëpërmjet kufirit. Nga shtatë veta që ishim bashkë, për t’u nisur, u nisëm të shtatë, kurse për t’u arrestuar, u arrestuam vetëm tre, pasi katër vetat e tjerë kishin lajmëruar degën më përpara.
Si u bë arrestimi?
Arrestimin na i bëri shefi i sigurimit të zonës, Sotir Ndrio, i cili ushtroi dhunë të pamëshirshme ndaj nesh, tortura dhe të rrahura të paprovuara më parë. Edhe sot mund të kem shenja në trup nga këpucët me gozhda që na gjuante në fytyrë. Gjatë atyre torturave, na binte të fikët, na hidhnin ujë për të na zgjuar, duke vazhduar dhunën. Derisa na çuan në hetuesi, ajo dhunë ishte e tmerrshme, dhe kur u futëm në birucë, i quanim muret si mburojë, pasi menduam që shyqyr që shpëtuam nga të rrahurat, nga të lidhurat, nga shkelmat e shefit të zonës. Birucat e Korçës ishin të tmerrshme, pa dritare, pa ajrim, vetëm se na jepnin një batanije në darke dhe na i merrnin në mëngjes. Gjatë natës, ishte shumë ftohtë dhe e bënim gjumin në këmbë, duke ecur nëpër birucë dhe është e habitshme që nuk përplaseshim asnjëherë në mur ose te dera e birucës, pasi e dinim mirë deri ku ishte vendi. Në mëngjes, na zgjonte kazani i gjellës që vinte nga lart dhe këpucët e rënda të policit. Por nuk e dinim që hetuesia do të ishte aq shumë intensive sepse mendonin se ne kishim lidhje me një diversant që në atë kohë hynte dhe dilte në Shqipëri me mbiemrin Kulina, ishte çoban. Pra hetuesia ishte shumë e ashpër dhe intensive, duke menduar se ne merrnim të dhëna nga ky diversant dhe ai na kishte instruktuar për të kaluar kufirin dhe të ktheheshim në agjente, sipas mendjes së hetuesit. Për këtë arsye, filloi nëntë muaj hetuesi dhe në moshën tonë ishte e tmerrshme, pasi ishim në pragun që mund të kapërcenim në çmenduri, ishte diçka e panjohur për ne. Atje bëheshin pyetje nga më të ndryshme, provokime nga më të ndryshme. Në orën 12, fillonte hetuesia dhe deri në orën 6, karriget ishin të betonuara prej hekuri. Unë isha i lidhur pas karriges dhe hetuesi enkas bënte sikur flinte dhe e linte koburen mbi tavolinë, duke pritur reagimin tim për të më provokuar. Hetuesi që kishte çështjen time quhej Riza Shehu nga Berati, por që kishte ardhur me detyrë këtu në Korçë.
Si u zhvillua gjyqi?
Pas përfundimit të hetuesisë, u zhvillua gjyqi. Gjyqi u bë shembullor. Ai u realizua në shkollën e fshatit, për t’u treguar moshatarëve tanë se çfarë i priste nëqoftëse vepronin si ne. Kryetar i gjyqit ishte Ibrahim Zhuli, i cili ishte shumë i rreptë. Aty ishte mbledhur i gjithë fshati dhe ata që na donin u trishtuan shumë, ndërsa të tjerët na shanin. Ne akoma nuk e dinim që shokët na spiunuan, pasi mendonim se ishin në hetuesi sëbashku me ne. Por kur u paraqitën në gjyq dhe dhanë dëshminë e tyre, atëherë e kuptuam që na kishin tradhëtuar. Ata u munduan që të ma hidhnin fajin më të madh mua, duke më cilësuar si kryetar grupi dhe kur u dënuam, unë u dënova më shumë, pasi sipas tyre, unë ngulja këmbë më tepër për t’u larguar. Por unë vërtet që isha më i eturi për një jetë më të mirë dhe e shpejtova arratisjen, pasi ata kishin një vit që e bisedonin, por jo se ngula këmbë. Por përveç kësaj, një moment shumë i vështirë për mua ka qenë kur dëgjova zërin e babait tim të regjistruar në këtë gjyq. Ai shprehej “Ai nuk është më djali im dhe jepini dënimin që meriton, edhe atë me pushkatim”. Unë nuk e di nëqoftëse ai e ka thënë me zemër apo i detyruar këtë gjë, por di me siguri që ai ishte zëri i tim eti.
A vinin familjarët tuaj t’ju shihnin në burg?
Të gjithë të burgosurit kishin të drejtën e takimit me familjarët. I vetmi familjar që më ka takuar në burg, ka qenë gjyshja ime. Mbaj mend që më ka ardhur në burgun e Korçës dhe më ka sjellë ndërresa dhe ushqim. Por para se të më takonte mua, kishte kërkuar Komandantin e Burgut dhe i kishte thënë se nipin tim e kam rritur që kur ishte shumë i vogël dhe di se ai nuk ka bërë asgjë të dëmshme për të qenë në burg. Komandanti i thotë se kur ta takosh, thuaji se, nëqoftëse ai pranon të bëjë atë që i themi ne, do i ulet dënimi. Dhe ajo ashtu e gëzuar, më vjen dhe më thotë se ti e paske në dorë, nëqoftëse do të lirohesh apo jo. Dhe unë i them, por e di çfarë kërkojnë ata prej meje, duan që të bëhem spiun. Jo, thotë ajo, mos më hajde në shtëpi, nëse pranon. Kaq ishte takimi me gjyshen dhe nuk e pashë më, sepse ajo u sëmur dhe më pas ndërroi jetë. Ndërsa me babain, nuk pata asnjëherë takim.
Çfarë ndodhi pasi u liruat?
Dënimi im përfundonte në shkurt të vitit 1983, por për shkak të një amnistie, u lirova në nëntor 1982. Për mua, kjo amnisti nuk kishte vlerë, pasi më kishte mbetur vetëm 1 muaj e 20 ditë për t’u liruar. Isha në moshën 38 vjeçare kur u lirova. Më duhej të kthehesha në shtëpi, atje ku nuk më priste askush. Kam shkuar në fshat dhe i vetëdijshëm që babai im nuk do më pranonte, dërgoj një djalë të vogël tek shtëpia për të lajmëruar atë. Por fjalët e tij ishin po ato që kishte shprehur në gjyq. Kështu u nisa drejt Degës, duke i shpjeguar problemin tim. Zyrtarët e saj më strehuan në zyrën e oficerit të rojes, që ishte një ambient tepër i vogël, ku nuk kishte as krevat për të fjetur. Kam qëndruar gati 4 muaj atje. Më pas, më çuan në minierën e Mborje-Drenovës, ku u strehova në hotelin që ishte për beqarët dhe vazhdova jetën, sigurisht me njollën e biografisë, derisa ndryshoi sistemi.Kujto.al