Trupi gjykues i KPA ka vendosur shkarkimin nga detyra të Donika Prelës, në ndryshim nga vendimi i dhënë më parë në KPK. Në përfundim të hetimeve, pas ankimimit të Institucionit të Komisionerit publik KPA konstatoi se për një apartament, subjekti ka mungesë të justifikimit të burimit financiare.= Subjekti ka probleme me burimin financiar për një hua prej 25 mijë euro. Për pasurinë KPA del në përfundimin se ka deklarim të pasaktë nga ana e Prelës dhe për këtë ajo duhet shkarkuar përfundimisht nga sistemi i drejtësisë.
Gjatë seancës së sotme vetë Prela, e cila ka mbajtur dhe detyrën e kryeprokurores së Krimeve të Rënda nuk ka qenë e pranishme, dhe mungonin dhe avokatët e saj mbrojtës, çka tregon se ajo ka qenë e përgatitur në dhënien e një vendimi të tillë. Çështja e Prelës në KPA është zvarritur me muaj të tëra, ndërsa vetë ish-kryeprokurorja e krimeve të rënda ka kërkuar ndryshimin e trupës gjykuese, Natasha Mulaj dhe Ina Rama, pasi sipas saj ka pasur konflikt interesi.
Kërkesa e Prelës është rrëzuar dhe tashmë prokurorja do ta shohë veten jashtë sistemit të drejtësisë. Prela u konfirmua në detyrë në shkurt 2019 nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit mes debateve të shumta politike. Ajo është akuzuar nga Partia Demokratike për lidhje me krimin ndërsa komisioneri publik apeloi vendimin e konfirmimit duke kërkuar shkarkimin e saj.
