Nikita Preka është bërë pjesë e rubrikës “Ti mundesh” në emisionin “ThumbON” në Tv Ora.
Ajo ka treguar historinë e jetës së saj si arriti të jetë botë e modelingut dhe njëkohësisht edhe biznesit në Dubai.
Ajo shprehet se gjatë fëmijërisë ka qenë shumë ambicioze dhe i kishte të qarta vizionet e saj që nga mosha 5-vjeçare. Në moshën 16-vjeçare ajo ka fituar Miss Lezhën, ndërsa në dhjetor të vitit 2018 ka përfaqësuar Shqipërinë në Miss Bota.
Përveç pasionit për modën ajo ka qenë shumë ambicioze edhe për studimet e saj, ku ka qenë një nga studentet më të mira dhe edukimi ishte prioriteti i saj.
Pasi mbaroi gjimnazin ajo shkoi në Londër për studime. Në fillimet e saj ajo u përball me vështirësitë si çdokush tjetër në një vend të huaj. Pasi u stabilizua, krijoi shoqëri dhe filloi punë, Nikita filloi të merrej edhe me pasionet e saj, siç është edhe modelingu.
“Kam marrë pjesë në një konkurs bukurie “Miss Motors UK”. Ishte kënaqësi kur e mora ftesën. Në fillim u përballa me një presion psikologjik. Isha e vetmja që vinte nga Shqipëria ndërsa konkurrentet e tjera ishin nga Anglia. Unë ia dola me një nga kriteret që kisha, sjelljen time me 60 vajzat e tjera dhe me stafin organizues. Ata e vlerësuan sepse edhe pse vajzat e tjera nuk ishin shumë miqësore, unë arrita t’i bëja shoqe”, shprehet Nikita.
Ajo ka përfaqësuar Anglinë në “Miss Motors Monako”, ishte pjesë e Formula 1. Nikita në vitin 2018 vendosi të lejë Anglinë për Dubain.
“Arrita të marr një punë, në një kompani shumë të mirë si analiste biznesi, ku jam ende me ta dhe punoj me ta. Fakti që kam jetuar në Londër më ka ndihmuar shumë sepse sfidat që kisha kaluar aty më kanë përgatitur shumë. Tani jo vetëm që jam pjesë e biznesit por edhe pjesë e modës. Kam qenë cover në faqen e parë të revistës “Friday Magazine”.
Për të rinjtë në Shqipëri apo dhe në të gjithë botën unë mendoj se edhe nëse dështojnë duhet të jenë gjithmonë pozitive dhe gjithmonë të provojnë sepse nëse provon do jetë gjithmonë një shans aty”, përfundon Nikita.
/Ora News.tv/
