Para mijërave qytetarëve të mbledhurnë bulevardin “Dëshmorët e Kombit” me flamuj kuqezi në duar, presidenti Ilir Meta u parashtroi atyre arsyet se pse i ka thirrur që ti bashkohen në aleancën kundër grushtit të shtetit.
Ai denoncoi aferat e mazhorancës jo vetëm me shkeljen e Kushtetutës dhe kapjen e institucioneve të drejtësisë, por edhe grabitjen e pasurive të vendit me PPP.
Ilir Meta: Presidenti i popullit kuqezi ulet në gjunjë vetëm para flamurit kuqezi dhe popullit kuqezi, para popullit të shqiponjave. Ta dëgjojnë mirë pucistët vendas dhe organizata ndërkombëtare mafioze që kërkojnë të shkatërrojnë sovranitetin dhe Kushtetutën tuaj. Neni 2 i Kushtetutës që ju votuat në referendum në 22 nëntor 1998 thotë: Sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket vetëm popullit. Ndaj ju kam ftuar jo si Ilir Meta por si Presidenti juaj, i vetmi institucion legjitim që ka mbetur në këtë shtet për të dëgjuar zërin tuaj sepse kur institucionet bien, ngrihet populli. Dhe populli nuk futet në xhep si paratë e oligarkëve. Jemi këtu sepse Shqipëria e sotme është ndarë në dy botë antagoniste, në botën e popullit kuqezi dhe në grupin që përfaqëson një botë të vogël, të errët, meskine, egoiste dhe tradhëtare të puçistëve dhe oligarkëve që si shushunja pinë çdo ditë gjakun e popullin me koncesionet e tmerrshme të PPP. A jemi sot vendi i parë për ndonjë gjë në botë? Po jemi vendi i parë në botë për kostot e autostradave për km, i kemi më të shtrenjta se vendet e zhvilluara të botës.Unë si President i kam rrëzuar publikisht këto dekrete të arsyetuara mbi Kushtetutë dhe ligjërisht, dekretet për koncesionet që kanë si qëllim grabitjen dhe jo zhvillimin e Shqipërisë. Ata tani kërkojnë edhe rrëmbimin në mënyrë mafioze dhe antikushtetuese të Gjykatës Kushtetuese që oligarkët dhe klanet e tyre të përfitojnë sa më shumë dhe krimet e tyre kushtetuese të mbeten të pagjykuara dhe të pandëshkuara. Jemi sot këtu sepse asnjë nga ne nuk mund ti qëndrojë anash grushtit të shtetit, jemi këtu sot për tu vendosur përballë me nisjen e pranverës kuqezi unë si president i Republikës dhe ushtar i parë i Republikës dhe gjithë populli kuqezi kundër grushtit të shtetit. Pse Presidenti thirri popullin? Sepse i shteroi të gjitha përpjekjet institucionale dhe demokratike për të parandaluar kapjen e shtetit dhe sidomos grushtin e shtetit. Presidenti ka thirrur popullin sepse pasuria kombëtare që po vidhet çdo ditë është ajo çka Zoti u ka dhënë gjithë shqiptarëve. Sistemi i drejtësisë është kapur për fyti nga sekti antishtet.
