“Ndiqni paratë” ka provuar të jetë një mënyrë shumë efektive për të trajtuar konkretisht organizatat kriminale. Kështu e nis reagimin delegacioni i BE-së në Tiranë ndaj miratimit të paketës anti KÇK nga qeveria.
“Ligji special i miratuar nga Qeveria e Shqipërisë që prezanton masa të reja parandaluese për forcimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit shkon në këtë drejtim dhe tregon vullnet politik për të adresuar çështjen”, shprehet delegacioni i BE-së.
“Ne do të ndjekim nga afër zbatimin konkret të aktit normativ. Është me shumë rëndësi që masat e reja legjislative të zbatohen me respekt të plotë të të drejtave themelore të të pandehurve dhe në përputhje me parimet e shtetit të së drejtës. Është gjithashtu e rëndësishme që këto masa të reja të ndiqen përmes institucioneve të krijuara nga reforma në drejtësi, në veçanti SPAK”, thuhet në reagim.
“Ne vazhdojmë të inkurajojmë qeverinë e Shqipërisë që të rrisë më tej përpjekjet e saj për zbatimin e plotë të Reformës në Drejtësi dhe forcimin e shtetit të së drejtës”, përfundon BE.
