Kryeministri Edi Rama në videomesazhin e pasdites së sotme me rastin e Vitit të Ri, theksoi se nuk duhet humbur momentumin që gjeneroi tërmeti i 26 nëntorit me forcën reaguese dhe energjinë përbashkuese në mënyrë që 2020-a të kapitalizojë mundësinë e thellimit të procesit të rilindjes ekonomike dhe sociale. “Më duhet t’ju rrëfehem se ideja e këtij momenti, si një mundësi për një fillim të ri, më ka pushtuar pak e nga pak, qyshse plasi konflikti absurd politik i gjysmës së parë të vitit. Më tej, kur refuzimi i Këshillit Europian për çeljen e negociatave me Shqipërinë shkaktoi një tërmet psikologjik, mbi këtë shoqëri të lidhur pazgjidhshmërisht me endrrën europiane, ky mendim m’u përforcua si nevojë për një fillim të ri. Por (tërmeti i 26 nëntorit, me forcën reaguese dhe energjinë përbashkuese që gjeneroi, u bë vetë momenti i fillimit të ri për Shqipërinë që duam)”, theksoi kryeministri Rama. “Nuk nuk duhet ta humbim kurrësesi këtë momentum të ri, për të kapitalizuar mundësinë e thellimit të procesit të rilindjes ekonomike e sociale, që ka krijuar ky fundvit dramatik. Nuk kemi kohë për të humbur, shtoi ai.
“Duhet të shtyjmë me forcë përpara dhe të bëjmë pa humbur kohë, tani, përditë, çdo punë që s’duhet lënë për nesër. Me rindërtimin e shtëpive si kryefjalë e vitit që po hyn, duhet ta kthejmë Vitin e Ri në një vit rezultatesh domethënëse për shtëpinë tonë të përbashkët, Shqipërinë që duam”, u shpreh kryeministri. “Viti 2020, duhet të jetë viti i kurimit shembullor të plagëve të shkaktuara nga tërmeti. Deri në fund të vitit 2021 ato plagët duhet të jenë kthyer në shembëlltyra të forcës, besimit, shpresës shqiptare tek e ardhmja. Brenda vitit 2020, çdo familje jashtë qytetit që ka humbur banesën individuale, duhet të hyjë në një banesë të re, më të mirë se sa ajo që ka humbur.
Deri në gjysmën e parë të vitit 2020, duhet të jenë ngritur në qytetet e prekura, të gjitha kantieret e lagjeve të reja. Shkollat, kopshtet, spitalet, qendrat shëndetësore të dala jashtë funksioni, duhet të rindërtohen nga e para deri në shtatorin e ardhshëm. Në sezonin e ri shkollor 2020-2021, fëmijët e shkollave të rrënuara, duhet ta nisin mësimin në shkolla të reja, me kushte shumë më të mira se përpara tërmetit. Rindërtimin duhet e do ta bëjmë, pa cenuar prioritetet, qëllimet dhe objektivat themelorë të këtij mandati qeverisës”, theksoi Rama.
