Menjëherë me bërjen funksionale të Gjykatës Kushtetuese, dy parti të opozitës kanë ankimuar sot Kodin Zgjedhor që u miratua në Kuvend, e më konkretisht nenin 163 që lidhet me shpërndarjen e mandateve të deputetëve.
Bindja Demokratike me përfaqësues Fabian Topollajn dhe Lëvizja Demokratike Shqiptare me përfaqësues Myslim Murrizin, deklaruan në qendrime të veçanta për gazetarëve, se neni 163 cënon barazinë e votës.
Murrizi bëri thirrje që kërkesës së tij dhe të Patozit ti bashkohen dhe parti të tjerë opozitare, në rast se sipas tij ”nuk e kanë karramelen në fyt”.
“Kemi ngritur në Gjykatën Kushtetuese një padi për nenin 163 të Kodit Zgjedhor, i cili u heq të drejtën shqiptarëve që të zgjedhin me votë direkte përfaqësuesit e tyre. Megjithëse Gjykata Kushtetuese ishte e ndarë 2,2,2 mes tre palëve, unë shpresoj që presioni të ruajë njëlloj neutraliteti të kësaj gjykate.
Do të ftoja subjektet politike që ta kundërshtojnë këtë Kod Zgjedhor, dhe ti bashkohen kërkesës sime, ftoj edhe zonjën Topalli, që në rast se nuk kanë karamelen në fyt që të na bashkohen. I bëj thirrje dhe zonjës Kryemadhi që të na bashkohet, pasi Ilir Meta u fut në grevë urie në vitin 2008 për ndryshimet e njëanshme në Kod”, u shpreh mes të tjerave Murrizi pasi doli nga ambientet e Gjykatës.
”Tani mbetet në dorë në Gjykatës Kushtetuese për ta marrë në shqyrtim këtë kërkesë, në mënyrë që t’i paraprihet aplikimit të Kodit Elektoral, përpara zgjedhjeve të 25 prillit. Me dorëzim e kësaj kërkese Bindja Demokratike përmbush një detyrim përpara vendit dhe qytetarëve shqiptarë, në funksion të objektivit për zgjedhje të lira dhe të ndershme, i cili cenohet rëndë nga neni 163 i Kodit Zgjedhor, i miratuar në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca e Edi Ramës”, deklaroi Topollaj.
Neni 163 i Kodit Zgjedhor- Ndarja e mandateve brenda koalicionit
Menjëherë pas përfundimit të llogaritjes së rezultatit, sipas nenit 162 të këtij Kodi, KQZ-ja përllogarit shpërndarjen e mandateve brenda koalicionit në çdo zonë zgjedhore, mbi bazën e numrit të votave të vlefshme që secila parti pjesëtare e koalicionit ka marrë në zonën zgjedhore përkatëse dhe numrit të mandateve që koalicioni ka fituar në zonën zgjedhore përkatëse.
Numri i votave të vlefshme të secilës parti pjesëtohet në mënyrë të vazhdueshme me numra natyrorë tek të njëpasnjëshëm, të quajtur pjesëtues, duke filluar me numrin 1 dhe duke përfunduar me numrin natyror që i korrespondon dyfishit të numrit të mandateve që shpërndahen në zonën zgjedhore përkatëse. Në rast se herësi që përftohe nga pjesëtimi është një numër me mbetje dhjetore, si herës merret numri i plotë më i afërt.
Herësit e përftuar nga çdo pjesëtim renditen në listë nga herësi më i madh tek ai më i vogël, duke renditur përkrah tyre subjektin, të cilit i përket herësi përkatës. Në rast se herësi është një numër me mbetje dhjetore, si herës merret numri i plotë më i afërt. Renditja vazhdon derisa të renditen aq herës sa është numri i mandateve që shpërndahen brenda koalicionit në zonën zgjedhore përkatëse.
Një parti politike përfiton një numër mandatesh të barabartë me numrin e herësve të përfshirë në listën e përcaktuar në pikën 3 të këtij neni. Në rast se për vendin e fundit në listën e përcaktuar në pikën 3 të këtij neni rezultojnë dy apo më shumë subjekte me të njëjtin herës, mandati i jepet atij subjekti që ka fituar numrin më të madh të votave dhe nëse ato kanë numër të barabartë votash, atëherë përcaktohet me short midis atyre partive. Shorti hidhet publikisht në KQZ, në prani të subjekteve të interesuara.
Menjëherë pas përfundimit të procedurave për ndarjen e mandateve për çdo parti politike, sipas këtij neni, KQZ-ja përcakton mandatet nominale për çdo parti politike, në bazë të renditjes së kandidatëve në listë, të depozituar sipas pikës 4 të nenit 67 të këtij Kodi, në rend zbritës, duke filluar nga numri rendor një.
Kryetari i partisë, i regjistruar në më shumë sesa një listë, sipas pikës 3 të nenit 67 të këtij Kodi, i cili ka fituar mandat në më shumë se një zonë zgjedhore, mban vetëm mandatin e fituar në zonën zgjedhore ku lista fituese ka marrë numrin më të vogël të votave, sipas përllogaritjes së neneve 162 dhe 163 të këtij Kodi. Mandatet e tjera të fituara nga kryetari i partisë u shpërndahen kandidatëve të tjerë, që renditen menjëherë pas tij në listën shumemërore përkatëse.
Shpërndarja e mandateve, sipas nenit 162 dhe këtij neni për çdo zonë zgjedhore miratohet me vendim. Vendimi nxirret për çdo zonë zgjedhore më vete. Vendimi mund të ankimohet në Kolegjin Zgjedhor, sipas procedurave të pjesës XI të këtij Kodi, nga subjektet e parashikuara në pikën 1 të nenit 124, përfshirë edhe kandidatët e listës shumemërore.(E.K/Faxweb.al)
