Naftëtarët e Ballshit janë duke zhvilluar protestën e tyre përballë uzinës së rafinerisë së naftës në Ballsh. Të revoltuar ata kërkojnë të hyjnë në ambientet e brendshme të uzinës, në mënyrë që të marrin librezat e tyre personale të punës. Gjatë tubimit të ditës së sotme mungojnë forcat e policisë, ndërkohë që perimetri i jashtëm i rafinerisë është në mbrojtje të policisë private të kontraktuar nga kompania. Ajo që bie në sy gjatë protestës së sotme është përkrahja që u është bërë naftëtarëve nga sindikata e fermerëve të zonës.
Nën thirrjet se “Rafineria është e naftëtarëve”, ata kërkojnë të hyjnë në uzinë dhe të marrin librezat e punës në mënyrë që të arrijnë të marrin përkrahjen sociale. Kujtojmë se një pjesë e naftëtarëve ndodhen ditën e sotme në ditën e 16 të grevës së urisë, ku disa prej tyre për shkak të problemeve shëndetësore janë detyruar të dalin prej ngujimit në gjendje të rënduar të shëndetit fizik.
Qeveria është shfaqur indiferente ndaj problemit të tyre duke e shpallur një problem të brendshëm të kompanisë. Nga ana tjetër naftëtarët kanë deklaruar se nuk do të reshtin së protestuari për të drejtat e tyre duke përshkallëzuar protestat e tyre deri në marrjen e pagave të prapambetura dhe lidhjen e kontratave individuale për rifillimin e punës.
