Këshilli i Ministrave miratoi sot kohën e nevojshme, që i duhet ndihmësit për kualifikimin me njohuritë praktike pranë një mjeshtri dhe me njohuritë teorike në një institucion arsimor. Në mbështetje të Kushtetutës, të ligjit “Për zejtarinë në Republikën e Shqipërisë”, dhe “Për Kornizën Shqiptare të Kualifikimeve”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave vendosi kohëzgjatjen e kualifikimit të ndihmësit me aftësitë praktike, pranë një mjeshtri në një subjekt zejtar të licencuar, deri në fitimin e titullit të ndihmës-mjeshtrit, është 2 (dy) deri në 3 (tri) vite kalendarike, në varësi të llojit të zejes. Sipas këtij vendimi kohëzgjatja e kualifikimit të ndihmësit me njohuritë teorike, në një institucion arsimor, me kohë të pjesshme, deri në fitimin e titullit të ndihmës-mjeshtrit, është 2 (dy) deri në 3 (tri) vite mësimore (akademike), në varësi të llojit të zejes.
Në vendimin e qeverisë thuhet se, ndihmësi kualifikohet me njohuri teorike në një institucion arsimor, sipas një programi teorik me kohë të pjesshme, me kohëzgjatje 10 (dhjetë) orë mësimore në javë, për 35 (tridhjetë e pesë) javë mësimore në vit.Gjatë javëve të zbatimit të programit teorik, ndihmësi kualifikohet edhe me aftësitë praktike pranë mjeshtrit, në një subjekt zejtar të licencuar për këtë qëllim, për 6 (gjashtë) orë në ditë, në 5 (pesë) ditë të javës, thuhet në vendimin e qeverisë. Gjatë javëve që nuk zbatohet programi teorik, ndihmësi, që ka mbushur moshën 18 vjeç, kualifikohet me aftësitë praktike pranë mjeshtrit në një subjekt zejtar të licencuar për këtë qëllim për 8 (tetë) orë në ditë, në 5 (pesë) ditë të javës, shtohet më tej në VKM.
Vendimi thekson se, për zeje të veçanta, me propozim të Dhomës Kombëtare të Zejtarisë dhe në konsultim me Agjencinë Kombëtare të Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve, ministri përgjegjës për arsimin dhe formimin profesional miraton kohëzgjatje të ndryshme nga ato të përcaktuara në pikat 1 dhe 2, të këtij vendimi, për kualifikimin e ndihmësit.Ngarkohen ministria përgjegjëse për arsimin dhe formimin profesional, Dhoma Kombëtare e Zejtarisë dhe Agjencia Kombëtare e Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
