Një nga raportet më kurioze të Observatorit të Futbollit CIES, që çdo javë përmbledh tematika të ndryshme të bazuar në statistika, është ai mbi ekipet që ndërrojnë më shpesh trajnerët e tyre. Duke parë uljet dhe ngritjet e tyre në Superioren shqiptare, të gjithë do të mendonim që vendi ynë të do ishte në majat e klasifikimit.
Sipas CIES, që ka analizuar 84 vende të ndryshme, është Bolivia vendi ku roli i trajnerit është më i paqëndrueshëm, me 8 ekipe që kanë ndryshuar mesatarisht 9 trajnerë nga viti 2015. Ndërkohë që në Kategorinë Superiore janë ndryshuar mesatarisht 6 trajnerë, duke zënë vendin e 9-të në këtë renditje, para Serbisë.
Ekipi më i pasigurt në botë ndodhet pikërisht në Bolivi, quhet Real Potosi dhe ka ndërruar 20 trajnerë në 5 vitet e fundit. Praktikisht, trajnerët në atë ekip nuk arrijnë as të mbajnë mend emrat e lojtarëve. Ndjekin ekipin bolivian peruvianët e Cusco dhe paraguaianët e Club Sportivo Luqueno me 16.
Në Shqipëri rekordin e mban Flamurtari me 11 trajnerë të ndryshuar nga viti 2015 deri në fundin e 2019. Skuadra vlonjate mes krizave të shumta ekonomike, renditet në vendin e katërt, së bashku me shumë ekipe të tjera në Europë. Në Europë, rekordi shkon në Bosnje, me Zenicën që ka ndërruar 14 të tillë, ndërkohë që ekipi më i njohur është sigurisht Udinese e Serie A, që në 5 vjeçarin e fundit ka ndërruar 10 të tillë.
