Në Dibrat ku bashkohen shqiptarët…!
Është nga organizimet më mbresëlënëse “Oda Dibrane” !
Ka nisur pothuaj tridhjetë vjet më parë me qëllimin fisnik, të pritjes së miqve në odën apo dhomën më të mirë të pritjes së mikut. Aty ku mes miqsh kuvendohet, shkëmbehen doke e zakone, flitet me këngë dhe me valle, pra aty ku folklori ynë i bukur, transmetohet e trashëgohet açik…!
“Oda Dibrane” si në traditën e saj të bukur, edhe këtë vit i ka shtruar sofrat e saj të mikpritjes në të dyja Dibrat e këtej andejme, në të madhen e Maqedonisë së veriut dhe në të voglën e Peshkopisë sonë !
Veli Vraniçi, mjeshtri i madh, emër madhi i Odës së dibranëve kish kohë që na kërkonte pjesëmarrjen e Vlorës në këtë event.
Dhe Ansambli “Amantia” përfaqësoi Qëndrën Kulturore të Bashkisë Vlorë denjësisht, duke u vlerësuar për virtuozitetin e polifonisë me ” Janinës çi panë sytë”…!
Grupi, i krahasuar dikur si “gjashtë violinat e magjishme”, e risollën këtë këngë plot 40 vjet më pas, po aq magjishëm, por me katër mjeshtra të mëdhenjë, me Nazif Çelën, Golik Likën, Vendim Kapaj, Fatosh Likajn, si dhe me Gezim Rakipin dhe Avdi Zholin.
Në Dibrën e madhe, nata e parë ! Aty ku edhe ndjesia kombëtare është më e madhe.
Një mbrëmje e madhe festive, një atmosferë e zjarrtë me ngrohtësi dhe dashuri mikëpritjeje !
E mandej forca interpretative dhe padiskutim bukuria artistike e Ansamblit tonë, i bëri bashkë rreth tij pa dallim, politikanë, zyrtarë dhe publikun e shumtë !
Në “Odën Dibrane” suksesi i Artistëve tanë të folkut ishte i merituar, duke i përcjellë me profesionalizëm vlerat më të mira të artit tonë gojor dhe trashëgimnisë kulturore.
Takimet e tilla artistike janë të rëndësishme për mbajtjen gjallë të traditës dhe përçimin edhe të pasurisë

shpirtërore.
Një tjetër ansambël do të përfaqesoj Bashkinë Vlorë në ditët në vazhdim, në një tjetër organizim festiv, në Festivalin Kombëtar Folklorik Tipologjik te valleve burimore që do të zhvillohet në Lushnje.
Do të jetë Ansambli çam “Krahu i Shqiponjës, Taip Madani “, cili është pjesë e bashkëpunimeve me Qëndrën Kulturore Vlorë ! Nga Genc Demiraj