Categories Lajme

Nënkomisar Saimir Hoxha “Dëshmor i Atdheut”, trajtim financiar për familjarët

Qeveria ka miratuar në mbledhjen e sotme një ndihmë me vlerë 5 milionë lekë për familjen e n/komisariat Saimir Hoxha që ra në krye të detyrës paraditen e djeshme në Lezhë, ku u ekzekutua nga 21-vjeçari Aldi Rama.

Vendimi mban firmën e kryeministrit Edi Rama. Shuma do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.

“Dëshmori i Atdheut” Saimir Hoxha u përcoll sot në banesën e fundit nga familja, kolegët, miq e të afërm. Të pranishëm ishin edhe drejtuesit më të lartë të shtetit e deputetë, të cilët i shprehën ngushëllimet familjarëve të 44-vjeçarit, që ra dëshmor në krye të detyrës.

I shoqëruar nga ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, kryeministri Edi Rama tha se fëmijët e nënkomisarit do të marrin 170% të pagës së babait të tyre deri kur të mbushin moshën madhore.

Presidenti Ilir Meta i akordoi nënkomisarit “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” për kontributin që ai i dha Policisë së Shtetit. Trupi i dëshmorit të 225 të Atdheut, u preh në varrezat e dëshmorëve

Këshilli i Ministrave vendosi sot të shpallë “Dëshmor të Atdheut”, nënkomisar Saimir Hoxhën, i cili humbi jetën dje në krye të detyrës, si dhe mori vendim për trajtimin e menjëhershëm financiar të familjarëve të tij.

Lajmin e bëri sot të ditur për mediet ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, pas mbledhjes së qeverisë.

“Dje humbi jetën në mënyrë tragjike në krye të detyrës nënkomisar Saimir Hoxha. Sot ne morëm vendimin për shpalljen ‘Dëshmor i Atdheut’ të nënkomisar Saimir Hoxhës dhe njëkohësisht qeveria mori vendim për trajtimin e menjëhershëm financiar të familjarëve”, tha Çuçi.

Ministri i Brendshëm sqaroi se me marrjen e titullit “Dëshmor i Atdheut”, kur të hyjë në fuqi ligji i ri që u miratua në mbledhjen e parë të qeverisë, fëmijët do të trajtohen në përkujdesje të Republikës.

“Kjo do të thotë se fëmijët e Dëshmorit të Atdheut do të marrin një trajtim financiar deri në 18 vjeç dhe nëse vazhdon shkollën e lartë, deri në 23 vjeç, të dy djemtë do të marrin një pagë prej 170 % të pagës që ka pasur nënkomisar Saimir Hoxha. Jo vetëm kaq, do të marrin trajtim falas shëndetësor dhe gjithë benefitet që vijnë si rezultat i përfitimit të statusit ‘Dëshmor i Atdheut’ të babait të tyre”, tha Çuçi.

Ministri theksoi se “sigurisht që familjarëve dhe veçanërisht dy fëmijëve do t’i mungojë babai i tyre, por në asnjë moment në jetën e tyre nuk do t’u mungojë përkujdesja e shtetit dhe shoqërisë, për të cilën Saimir Hoxha dha jetën”.

Homazhe në nderim të nënkomisarit Hoxha, u vra në krye të detyrës

Në “Pallatin e Kongreseve” në Tiranë po zhvillohen sot homazhet për nënkomisarin e Lezhës, Saimir Hoxha i cili u vra dje në krye të detyrës.

Të pranishëm në homazhe janë familjarë, të afërm, kolegë e zyrtarë të lartë të Policisë.

Nënkomisar Saimir Hoxha ra në krye të detyrës paraditen e djeshme në Ishull-Lezhë. Hoxha ishte pjesë e grupit të kontrollit të territorit për evidentimin dhe asgjësimin e lëndëve narkotike.

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi bëri të ditur dje se “Komisioni Qendror i Statusit “Dëshmor i Atdheut” ka nisur procedurat për shpalljen e oficerit Saimir Hoxha, “Dëshmor i Atdheut” duke i garantuar familjes së tij të gjithë vëmendjen dhe mbështetjen e dhënë me ligj të posaçëm”.

Meta: Nënkomisar Saimir Hoxha hero, të mbështesim Policinë e Shtetit në luftën kundër krimit

Presidenti Ilir Meta zhvilloi sot homazhe në nderim të nënkomisar Saimir Hoxhës, i cili ra dje në krye të detyrës.

Pas homazheve, Presidenti Meta tha se “është një moment i dhimbshëm, që do t’i japim sot lamtumirën e fundit oficerit hero të Policisë së Shtetit, por edhe një prindi e familjari të shkëlqyer si Saimiri, i cili kurrsesi nuk e meritonte te ndahej nga jeta, familja, shokët nga komuniteti dhe qytetarët të cilëve u shërbeu me besnikëri duke sakrifikuar dhe jetën e tij trimërisht”.

“Është një moment reflektimi dhe një lufte frontale kundër krimit të organizuar, por edhe për dekurajimin e krimit ordiner, ashtu sikurse është një prioritet lufta çdo sekondë kundër trafikut që drogës kundër atyre jo vetëm, përfitojnë prej saj, por edhe për të shpëtuar sa më shumë të rinjtë, fëmijët, të cilët për fat të keq bien pre e këtij fenomeni shkatërrimtar sikurse janë pastaj përgjegjës për akte të tilla që trondisin një shoqëri të tërë”, nënvizoi Meta.

Kreu i Shtetit u shpreh se “kjo është një luftë që duhet bërë çdo sekondë dhe për të cilën nuk duhet të kujtohemi vetëm në momente të tilla tragjike. Ashtu sikurse është momenti për të mbështetur Policinë e Shtetit në këtë luftë mjaft të rëndësishme për të mbrojtur  atë, por për të mbrojtur mbi të gjitha shoqërinë tonë, për të mbrojtur edhe të ardhmen e fëmijëve dhe të rinjve tanë, të cilët duhet të jetojnë në një vend të sigurt dhe në paqe”.

Rama: Fëmijët e Dëshmorit të Atdheut do marrin 170 % të pagës së babait

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot homazhe në nderim të nënkomisar Saimir Hoxha, që u vra dje në krye të detyrës.

Në një prononcim për mediet pas homazheve, Rama tha se është një çast i rëndë për të gjithë.

“Padyshim që është një çast i rëndë për të gjitha forcat tona të Policisë së Shtetit. Patjetër edhe për shoqërinë dhe për shtetin, por mbi të gjitha për familjen. Duke i shprehur ngushëllimet vëllazërore familjes, duke i shprehur ngushëllimet më të ndjera gjithë kolegëve që e kanë njohur nga afër këtë Dëshmor të ri të Atdheut, por edhe të gjithë punonjësve të Policisë, e shoh të udhës të bëj me dije se, qeveria ka vendosur sot mbështetje financiare të konsiderueshme për familjen”, tha Rama.

Njëkohësisht, Kryeministri informoi se “me të hyrë në fuqi ligji i përcjellë në parlament pas mbledhjes së parë të qeverisë për fëmijët nën kujdesin e Republikës, fëmijët e të ndjerit do të marrin 170 % të pagës së tij, deri kur të arrijnë moshën e pjekurisë”.

“Natyrisht nuk ka fonde dhe nuk ka mbështetje materiale që kompenson boshllëkun për familjen, por detyra e shtetit është që fëmijët e dëshmorëve që japin jetën në krye të detyrës të mos mbeten vetëm, por të ndihen deri në fund të mbështetur, të përkrahur dhe të inkurajuar, për të hyrë në rrugën e jetës së tyre duke qenë krenarë jo vetëm për prindin, por edhe për shtetin, të cilit babai i shërbeu deri në momentin e fundit”, tha Rama.

Basha: I paharruar kujtimi i nënkomisar Hoxhës

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, mori pjesë sot në homazhet në nderim të nënkomisar Saimir Hoxha.

“Jam këtu për t’i dhënë lamtumirën e fundit nënkomisar Saimir Hoxhës, bashkë me lutjet e mia e të gjithë kolegëve e bashkëpunëtorëve të mi që shpirti i tij të prehet në paqe dhe që Zoti t’ia lehtësojë dhimbjen e padurueshme, bashkëshortes, fëmijëve, prindërve familjarëve të tij”, – tha Basha.

Kreu i PD-së theksoi se “shpreh solidaritetin dhe mbështetjen time për vëllezërit dhe motrat në uniformë të Saimir Hoxhës, të cilët përballen ditë për ditë me rrezikun vdekjeprurës të luftës kundër krimit dhe mbrojtjes së ligjit, jetës dhe sigurisë të çdo qytetari dhe fëmijëve të këtij vendi”.

“Sot nuk është dita për të ngritur gishtin e përgjegjësisë, por si drejtues i dikurshëm i tyre u them se dhimbjen e tyre të përditshme për braktisjen dhe poshtërimin që ndiejnë, e ndiej përditë. Unë dhe PD do të bëjmë gjithçka që sakrificën e tyre, uniformën e tyre, dinjitetin e tyre ta vëmë në vend një orë e më parë. Hapi i parë për këtë do të jetë një shtet me një qeveri në krah të vëllezërve dhe motrave në uniformë të Saimir Hoxhës në krah të ligjit dhe kundër krimit. I paharruar kujtimi i tij!” – tha Basha.

Pas homazheve trupi i pajetë i oficer Saimir Hoxhës u përcoll në varrezat “Dëshmorët e Kombit”, ku u zhvillua edhe ceremonia e lamtumirës.

Në ceremoninë e lamtumirës ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi tha se “humbja e një kolegu dhe njeriu me vlera të tilla është e rëndë, por është në të njëjtën kohë edhe një detyrim  më shumë për të nderuar sakrificën e nënkomisar Saimir Hoxhës dhe gjithë dëshmorëve të tjerë të atdheut në radhët e Policisë së Shtetit. Në emrin e qeverisë dhe në rolin tim si ministër i Brendhshëm, ju siguroj për përkushtimin tonë të plotë dhe pa kushte për të vazhduar pa kushte luftën kundër krimit dhe lëndëve narkotike dhe për të çuar përpara pa u lodhur përpjekjet për forcimin e  sundimit të ligjit dhe sigurisë për qytetarët”.

Ndërsa drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, tha se “ky moment i ndarjes nga Saimiri është shumë i vështirë jo vetëm për familjen, por për gjithë policinë, por edhe burim force për të vijuar luftën kundër krimit. Përulemi para trupit të heroit, duke premtuar se nuk na step asnjë moment frike. Çdo vështirësi vetëm na qartëson rrugën, ku të ecim për një shoqëri më të sigurt e më të mirë. U prehsh në paqe miku ynë, të paharruara do të jenë përjetë kujtimi dhe vepra jote”.

Lamtumira e fundit për Saimir Hoxhën, Çuçi: Humbje e rëndë dhe detyrim për të vazhduar me vendosmëri luftën kundër krimit dhe trafikut të drogës

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu ishin të pranishëm në ceremoninë mortore në Varrezat e Dëshmoreve për t’i dhënë lamtumirën e fundit nënkomisarit Saimir Hoxha.

“I rritur në një familje të nderuar në Pukë, i arsimuar në Akademinë e Rendit në Tiranë, Saimiri la kudo ku punoi – në Tropojë, Shkodër, Tiranë dhe Lezhë – përshtypjet më të mira si një punonjës policie i drejtë dhe rigoroz në zbatimin e ligjit, i qetë dhe i komunikueshëm me qytetarët, dhe i dashur e bashkëpunues më kolegët e tij”, u shpreh Çuçi në fjalën e tij.

“Humbja e një kolegu dhe njeriu me vlera të tilla është veçanërisht e rëndë, por është, në të njëjtën kohë, edhe një detyrim më shumë për të nderuar sakrificën e nënkomisar Saimir Hoxhës dhe të dëshmorëve të tjerë të kombit në radhët e Policsë së Shtetit. Ndaj, në emër të qeverisë dhe në rolin tim si Ministër i Brendshëm, ju siguroj për përkushtimin tonë të plotë dhe pa kushte për të vazhduar me vendosmëri luftën kundër krimit dhe kundër trafikut të lëndëve narkotike, dhe për të çuar përpara, pa u lodhur, përpjekjet për forcimin e sundimit të ligjit dhe të sigurisë për qytetarët”, tha ai.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

Më pushime në Vlorë, ndërron jetë turistja gjermane

Një turiste 41-vjeçare ka humbur jetën ditën e sotme, në rrethana ende të paqarta. Ngjarja…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Tragjedia që tronditi opinionin publik! 14 kilometra larg njëri-tjetrit, si u gjetën në pesë ditë trupat e Alma Arrazit dhe tre fëmijëve të saj

Vetëmbytja e Alma Arrazit dhe tre fëmijëve të saj, ishte një nga ngjarjet më të…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Rama u heq tenderat ministrave: Nuk do të kenë asnjë lidhje!

Nga data 25 prill asnjë ministër apo institucion varësie nuk mund të merret më me…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Rama u heq tenderat ministrave: Nuk do të kenë asnjë lidhje!

Nga data 25 prill asnjë ministër apo institucion varësie nuk mund të merret më me…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Egla dhe Juli e nisin ditën me sherr. Aktorja: Pervers, shikon gratë!

Dy aktorët Juli dhe Egla kanë debatuar sërish ashpër këtë mëngjes, ku nuk kanë munguar…

LEXO ME SHUME