Punimet në korsinë e dytë të By–Pass-it të Fierit tashmë janë në fazën e tyre intensive. Kompania ka nisur asfaltimin e kësaj pjese të rrugës, e cila do të përfundojë për të gjithë segmentin e gjatë 22 kilometra në muajin nëntor.
Njëkohësisht në këtë aks është duke u punuar për vendosjen e mbikalimeve dhe rrugëve dytësore lidhëse me By-Passin.
“Aktualisht jemi duke asfaltuar në korsinë e dytë, plotësisht brenda skedulit të punimeve. Ndërkohë kemi filluar dhe vendosjen e gominave në shtatë mbikalimet dhe brenda tetorit do t’i hedhim të gjithë trarët te mbikalimet. Jemi plotësisht në rregull me grafikët. Kuptohet, në nëntor ne kemi për të përfunduar këtë korsi, në nivelin që është”, thotë inxhinieri i kompanisë ndërtuese.
“Çfarë duhet është që të përshpejtojmë ritmet. Këtu po punohet me ritme shumë të mira por për shkak se jemi në shtator dhe po vjen dimri pastaj gjërat nuk do jenë më në dorën tuaj apo tonën për sa i përket motit”, shton Belinda Balluku, Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Sipas kontratës kompania do të duhet të dorëzojë rrugën e përfunduar në shkurt të vitit të ardhshëm. Pas hedhjes së asfaltit edhe në korsinë e dytë dhe përfundimit të 7 mbikalimeve, do të nisë hedhja e shtresës së fundit të asfaltit për të dyja karrexhatat dhe vendosja e sinjalistikës.Tv Klan
