Me shtimin e zonave të mbrojtura edhe fauna po pasurohet. Ministri i Mjedisit Blendi Klosi ka publikuar një pjesë të albumit me mbi 30 foto gjitarësh si ariu i murrmë, derri i egër, ujku, dhelpra, etj., të cilat rriten qetësisht në zonat dhe parqet e mbrojtura anembanë vendit. Konkretisht albumi i rrallë me foto të gjalla të kafshëve të egra që rrallë i takon syri i lirë i njeriut është realizuar në Parkun Kombëtar të Prespës.
“Zonat e mbrojtura, habitate të qeta dhe të sigurta ku fauna shtohet e pasurohet në vazhdimësi! Mbi 30 foto gjitarësh mes të cilëve ariu i murrmë, macja e egër, derri i egër, kunadhja, dhelpra, ujku etj, janë fiksuar nga kamerat kurth në Parkun Kombëtar të Prespës, të vendosura nga specialistët e PPNEA-s me asistencën e stafit të zonave të mbrojtura,” shprehet ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi.
Ministria vijon të shtojë hartën e vendeve të mrekullueshme që i ka falur natyra Shqipërisë si zona të mbrojtura ku më e fundit është qyteti antik i Dimalit, i cili pritet të shpallet zonë arkeologjike e mbrojtur. /atsh