Categories Lajme

“Pasi i zhvishnin, i qëllonin dhe i hidhnin në gropë”- Rrëfehet ish-zyrtari i Ministrisë së Brendshme: E vërteta e pushkatimit të 104 të burgosurve, pasi Enver Hoxha…

Memorie.al publikon historinë e panjohur të shqiptarëve të burgosur nga gjermanët në Kampin e shfarosjes në Prishtinë ku më 23 tetor të vitit 1944, komanda e kampit pushkatoi 104 të dënuar, pasi Enver Hoxha prishi marrëveshjen me gjermanët duke mos dorëzuar tre vajzat gjermane, që mbaheshin peng nga Shtabi i Përgjithshëm në Tiranë, ndërsa pjesa tjetër e shqiptarëve të burgosur aty, shpëtuan nga plumbi vetëm në sajë të ndërhyrjes së ministrit të Regjencës, Xhelal Mitrovica.

Ai mori takim me komandën gjermane dhe iu tha atyre se kampi ishte i rrethuar nga forcat kosovare, të cilat nuk do të lejonin largimin e tyre pa dorëzuar të gjithë shqiptarët që mbaheshin të izoluar aty.

Dëshmia e rrallë vjen nga Kristo Budo, njëri nga shqiptarët e dënuar në atë kamp për shkak të veprimtarisë së tij si komunist, i cili shpëtoi i gjallë nga kampi nazist dhe pasi u kthye në Shqipëri, mbajti disa funksione të larta në Ministrinë e Brendshme dhe inspektor për Pushtetin Lokal në Kryeministri, por pas arrestimit dhe dënimit me vdekje të babait të tij, i akuzuar si “agjent i grekëve”, edhe Kristo përfundoi nën pranga, duke u torturuar barbarisht nga hetuesi famëkeq, Nevzat Haznedari.

Pasi vuajti dhjetë vjet burg e internim në Kampin e Zvërnecit, u lirua nga amnistia e vitit 1982 pasi ishte mbi 60 vjeç.

Zoti Kristo, si u ndodhët ju në burgun e Tiranës në atë kohë?

Gjatë vitit 1942-43 unë fillova të aktivizohesha me grupet edukative të Rinisë Komuniste të Tiranës dhe bëja pjesë në një grup që e drejtonte Reshat Aliaj, (vëllai i Ramiz Alisë) dhe më pas unë kalova në një grup tjetër, që drejtohet nga Haki Karapici. Pasi veprimtaria ime që kryeja në kuadrin e atyre grupeve edukative kishte rënë në sy të gjermanëve, në prillin e vitit 1944, unë u arrestova prej tyre dhe pas kësaj më dërguan në burgun e Tiranës, pa më nxjerrë fare në gjyq. Pasi më arrestuan, gjermanët më morën në pyetje por nuk tregova asnjë nga shokët e mi të grupeve edukative komuniste. Kjo gjë konfirmohet edhe me faktin se asnjë prej shokëve me të cilët kisha punuar unë, nuk u ndodhi gjë dhe nuk u arrestuan.

Kush ishin të burgosurit e tjerë që gjetët në atë burg dhe ata që erdhën më pas?

Në atë kohë që unë vajta në atë burg, aty kishte jo vetëm të burgosur politik komunistë, ish-partizanë, por dhe shumë të tjerë nacionalistë demokratë, të rinj punëtor dhe intelektual që e urrenin fashizmin. Mes tyre mund të kujtoj avokatin Sulo Bogdo, babain e Vasil Shantos me të bijën Bojka, plakun Sadik Petrela, Kostë dhe Taqi Memën, dy vëllezërit Papuçiu nga Fieri, Luigj Filipin me gruan Sandrën. Po kështu ishin luftëtarët e njohur Spiro Velko, Kin Dushi, Gjikë Kuqali, Musa Agolli, Ramazan Kruja, Bilal Ganxholli, Niko Avrami, gjyqtarët Gaqo Floqi dhe Grigor Gjika, Hysen Dashi etj.

Si e kujtoni atë ditë që gjermanët ju morën nga burgu i Tiranës për t’ju dërguar në kampin e Prishtinës?

Ka qenë data 26 gusht e vitit 1944, kur ne të burgosurit politik që ndodheshim në burgun e Tiranës, na urdhëruan që të dilnim të gjithë në oborrin e atij burgu, që ishte i rrethuar me ushtarë të shumtë gjerman. Drejtoria e burgut së bashku me gjermanët na bënë apelin dhe më pas na hipën në kamionë, që pritnin të niseshin. Në çdo makinë kishte nga një oficer gjerman me dy ushtarë të armatosur dhe pas çdo makine kishte nga një autoblindë.

Kishit dijeni më parë se do t’u dërgonin në kampin e Prishtinës?

Jo vetëm që ne nuk kishim dijeni më përpara, por edhe në atë ditë të 27 gushtit, ne nuk dinim se për ku po shkonim. Mbrëmjen e 26 gushtit në Tiranë ishte hapur lajmi për këtë transferim të burgosurish dhe për këtë shkak, u mblodhën shumë nga njerëzit e familjeve tona të cilët prisnin me ankth se çdo të ndodhte me ne.

Komanda e burgut kishte dijeni për këtë transferim të burgosurish?

Komanda e burgut nuk kishte dijeni se për ku do të na çonin gjermanët atë natë dhe këtë e kemi mësuar më vonë pas mbarimit të Luftës. Në dokumentet e administratës së Burgut është gjetur një shkresë e cila ndodhet në Arkivin Qendrore të Shtetit ku thuhet: ”Vërtetohet se këta persona (vijon lista me emrat e tyre) i kanë marrë gjermanët në prezencën e major Hamdi Jusufit dhe Kapitenit Xhelal Staraveckës”.

Në çfarë itinerari u krye transporti juaj për në Prishtine?

Autokolona e makinave gjermane përshkoi rrugën nacionale Tiranë-Milot-Shkodër. Atë natë na mbajtën në qytetin e Shkodrës në një fushë të hapur të rrethuar me tela me gjemba. Të nesërmen gjermanët na sollën edhe shumë të burgosur të tjerë politikë, burra e gra që kishin qenë në burgun e Shkodrës. Midis tyre kujtoj Llazar Siliqin, Sabah Hilmin, Gac Mazin, Stefan e Vasil Pistolin, Qemal Jasharin, Seit Boshnjakun, Vladimir Misjen, motrat Marie (Varfi) dhe Despina (Trimçiev). Të nesërmen e asaj nate autokolona e makinave gjermane ku ishim ne, vazhdoi rrugën Shkodër-Pukë-Kukës dhe prej aty na ndaluan në qytetin e Prizrenit. Atë mëngjes që u nisëm nga Shkodra, populli i atij qyteti na bëri një përcjellje me të vërtetë të bukur duke na përshëndetur në të dy anët e rrugës. Kur mbërritëm në Prizren ne filluam të këndonim këngë patriotike nga të cilat u zgjuan shumë qytetar të cilët dolën nëpër dritare. Pas Prizrenit vijuam rrugën deri në Prishtinë, ku na ndaluan pranë disa kazermave ku ishte instaluar kampi.

Kur mbërritëm në kampin e Prishtinës, ushtarët gjerman na zbritën nga makinat duke na bërtitur e na qëlluar me kamxhik. Aty na vendosën në kapanone, në njërin prej tyre u vendosëm ne të burgosurit e Tiranës dhe në tjetrin ata të Shkodrës. Kurse gratë i vendosën në dy dhoma ngjitur me kampin tonë, por të ndarë nga një gardh me tela me gjemba. Në ato dy kapanone ishim gjithsej afro 200 veta dhe flinim ngjitur me njeri-tjetrin sa mezi lëviznim. Aty gjetëm dhe të internuar të tjerë kosovarë, serb, malazez, Italian, e ndonjë hebre, e nga kontaktet me ta mësuam për trajtimin çnjerëzor që u bëhej të burgosurve dhe veçanërisht për pushkatimet që ishin bërë deri në atë kohë sidomos të burgosurve kosovarë.

Po në kohën që shkuat ju në atë kamp, a pati pushkatime?

Nuk kishte kaluar shumë kohë nga dita që shkuam ne aty, gjermanët morën 26 të burgosur që ishin të gjithë nga Shkodra dhe i pushkatuan në rrethinat e qytetit të Kukësit. Ky akt nga gjermanët u bë në shenjë hakmarrjeje, sepse ato ditë partizanët kishin sulmuar një autokolonë naziste që ishte duke u tërhequr në rrugën Kukës-Prizren, ku kishin vrarë disa ushtarë. Pas pushkatimit të 26 të burgosurve shkodranë, gjermanët vazhduan përsëri dhe natën e 23 tetorit 1944 ata pushkatuan 104 të burgosur shqiptarë nga ai kamp.

Si qëndron e vërteta e pushkatimit të 104 të burgosurve, sepse është thënë se gjermanët i ekzekutuan ata, pasi Enver Hoxha prishi marrëveshjen që kishte bërë me ta, për lirimin e tre vajzave gjermane që mbaheshin peng në Tiranë nga forcat partizane?

Po për këtë marrëveshje që pyesni, u përfol asokohe në kampin e Prishtinës dhe për këtë ishin në dijeni pothuaj të gjithë të burgosurit. Ato ditë para se të pushkatoheshin 104 shokët, në kamp u hap fjala se ishte bërë një marrëveshje në mes gjermanëve dhe Shtabit të Përgjithshëm që e komandonte Enver Hoxha, për shkëmbimin e tre vajzave gjermane, që mbaheshin peng në Tiranë, me dhjetë të burgosur të Kampit të Prishtinës. Kjo marrëveshje, sipas fjalëve që qarkullonin në kamp, nuk u arrit të realizohej sepse Shtabi i Përgjithshëm nuk i liroi tre vajzat dhe gjermanët në shenjë hakmarrje, pushkatuan 104 të burgosur. Po kështu asokohe thuhej se pushkatimi i tyre u bë si shenjë hakmarrje, ndaj 16 gjermanëve të plagosur që u sulmuan e u vranë nga guerilët e Tiranës, në Rrugën e Dibrës. Nuk e di sa të vërteta ishin këto, por ky version diskutohej nga ne të burgosurit e Prishtinës.

Është thënë se për ndërmjetësimin e marrëveshje për shkëmbimin e tre vajzave gjermane me dhjetë komunistët e burgosur, asokohe në kampin e Prishtinës ka ardhur Kapiten Petraq Pekmezi, që shërbente si përkthyes në Gestapo?

Po, ka ardhur Kapiten Petraq Pekmezi disa herë në kampin e Prishtinës ku edhe ka liruar disa nga të burgosurit që ishin në atë kamp. Petraqi është vëllai i dëshmorit Trajan Pekmezi, ka ditur shumë gjëra, sepse ai ka ndërmjetësuar në mes Shtabit të Përgjithshëm dhe komandës gjermane, ku thuhej se në atë kohë është bërë një marrëveshje në mes tyre, ku partizanët nuk do t’i godisnin forcat gjermane gjatë tërheqjes së tyre nga Tirana. Sidoqoftë këto janë me të dëgjuar, sepse të vërtetën e tyre e ka ditur vetëm Petraq Pekmezi, të cilin partizanët e pushkatuan në oborrin e shtëpisë, dy tre ditë para çlirimit të Tiranës. Petraqi u kishte bërë shumë punë komunistëve dhe duke e ndjerë veten të pastër, nuk pranoi të largohej nga Tirana me gjermanët. Por fatkeqësisht atë e vranë.

Si e kujtoni pushkatimin e 104 të burgosurve të atij kampi gjerman?

Si çdo ditë dhe ditën e 23 tetorit na nxorën në punë që në orët e para të mëngjesit dhe na çuan për të hapur transhe përreth Prishtinës. Mirëpo, atë ditë si asnjëherë tjetër afër drekës papritur na urdhëruan ta ndërpritnim punën dhe u kthyem në kamp. Mbas dite na radhitën të gjithëve jashtë kapanonit dhe një oficer gjerman me një listë në dorë filloi të lexojë emra e të burgosurve të Tiranës. Ata që dëgjonin emrat, dilnin nga rreshti dhe qëndronin të veçuar. Mbasi thërritën 104 vetë, i mbyllën të gjithë në një nga dhomat ku banonin gratë. Kur i futën aty ne filluam të diskutonim me njëri-tjetrin dhe disa thonin se do t’i transferonin në një kamp tjetër, por mbajtja e tyre deri në mbrëmje na vuri në pikëpyetje nëse do të pushkatoheshin dhe kjo gjë u vërtetua sapo u ngrys. Në atë kohë ne na mbyllën shpejt dyert e kapanonit dhe pas pak filluan të dëgjohen të shtëna armësh me ndërprerje fare pranë kampit. Pasi i zhvishnin, i qëllonin me armë dhe i hidhnin në gropë.

Mbani mënd ndonjë nga ata që u pushkatuan?

Po më kujtohen shumë prej tyre që i njihja nga afër. I pari që u muar nga dhoma për t’u pushkatuar ishte Sadik Petrela i cili kur po dilte tha: ”Çuna, unë po shkoj se jam plak”. Në atë kohë shokët e kuptuan se po e çonin në pushkatim dhe menjëherë hoqën një dërrasë nga tavani dhe disa prej tyre si Spiro Velko, Musa Agolli, Servet Tepelena, etj, u ngjitën dhe filluan të kalojnë nga një kapanon në tjetrin deri sa zbritën në kapanonin tonë. Gjermanët e kuptuan se të burgosurit po iknin nga vrimat e tavanit dhe u futën brenda në kapanon duke qëlluar me automatik. Aty, teksa kishte ngjitur trupin në vrimën e tavanit, mbeti i vrarë Hektor Shyti nga Vlora, ndërsa të tjerët i gjetën në kapanonin tonë. Nga ata mundën të shpëtojnë katër-pesë vetë si Servet Tepelena, që gjermanët nuk i diktuan dot dhe ata të infermierisë. Më kujtohet Musa Agolli, kur e morën tha: ”Vdekje fashizmit, lamtumirë shokë”. Atë e pushkatuan që aty. Me Xhavit Jukniun ndodhi ndryshe, ai nuk figuronte në listën për pushkatim, por kur oficeri gjerman ia pa kokën të lidhur me fasho, vendosi t’a marrë për pushkatim, duke kujtuar se ai e kishte vrarë gjatë kalimit në tavan. Xhaviti i shkreti i tha oficerit se nuk ishte në listë, por ai e mori dhe e pushkatoi.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

Video/Ja momenti kur avokati Sokol Mëngjesi dhunohet para derës së kopshtit

Publikohet video nga momenti kur avokati Sokol Mëngjesi dhunohet para derës së kopshtit. Siç shihet…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Nëna dhe babai kërkojnë djalin e humbur prej 4 muajsh, i riu i surprizon live: Jam mirë

Mes lotësh dy prindër nga Elbasani, Bujar dhe Fiqerete Çepa mbërritën pasditen e kësaj të…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

FOTO-EMRAT/ Identifikohen 4 autorët që dhunuan avokatin Sokol Mëngjesi

Policia e Tiranës ka identifikuar katër autorët që dhunuan avokatin Sokol Mëngjesin, mëngjesin e kësaj…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Vlorë/Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli 3”Vihet në pranga një 27-vjeçar, të cilit iu gjet në automjet, një sasi lënde narkotike e ndarë në rreth 530 doza

Vlorë/Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli 3”, goditet një rast i shitjes së lëndëve narkotike,…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Vlorë, Vodhën një sasi karburanti nga kamioni i një firme ndërtimi, identifikohen dhe arrestohen 2 shtetas

Vlorë, Vodhën një sasi karburanti nga kamioni i një firme ndërtimi, identifikohen dhe arrestohen 2…

LEXO ME SHUME