Categories Sport

Pasurohet futbolli shqiptar, kur “bonusi” nga UEFA shkon deri në 7 milionë euro

Europa foli më në fund edhe shqip. Për të parën herë në historinë e futbollit tonë, 4 ekipe të Kategorisë Superiore u kualifikuan njëherësh. Si kurrë më parë, ato kanë ende mundësi të luajnë në Ligën e Europës. Nëse Tirana tashmë do të luajë në raundin e tretë, Kukësi, Teuta e Laçi në të dytin.

Veç krenarisë, suksesi sjell shumë më shumë se kaq: miliona. Në një kohë që futbolli ynë prej kohësh përballet me një krizë të vazhdueshme financiare, tashmë mund të marrë frymë. Nëse deri para se të niste aventura europiane 5 ekipe nuk u licencuan dot në zonë “Euro” prej borxheve (Vllaznia, Bylisi, Flamurtari, Luftëtari e Skënderbeu), tashmë përftimet që i vijnë Shqipërisë përllogariten 7 milionë euro. Dhe kjo shifër është e mjaftueshme për të nisur një sezon më shumë se të shëndetshëm ekonomikisht.

PËRFITIMET NGA UEFA

Kukësi, Teuta dhe Laçi kanë arkëtuar deri më sot vetëm nga UEFA 1.5 milionë euro. Me pjesëmarrjen dhe kalimin e turit të parë, secila ka marrë nga 500 mijë euro. Nëse kurbinasit patën disa shpenzime më shumë prej udhëtimit apo akomodimit në Azerbajxhan (atje ku u ndeshën me Keshlan), kuksianëve dhe durrsakëve iu evitua kjo lloj kostoje. Ata luajtën në shtëpi dhe dashur pa dashur ky quhet kursim.

Nuk duhet të harrojmë Tiranën, e cila ka grumbulluar tashmë 1.2 milionë euro nga kompeticionet europiane. Një shumë goxha e madhe që i lejon jo vetëm të rregullojë të kaluarën, por edhe të forcojnë të ardhmen. Veç shpërblimit prej 260 mijë eurosh që mori si kampione nga UEFA, iu shtuan 660 mijë euro nga pjesëmarrja në turin e parë dhe të dytë të Champions-it.

Vërtet u eliminuan, por fituan të drejtën që të luajnë edhe në turin e tretë të Ligës së Europës, që përkthehet edhe në 280 mijë të tjera. Por asgjë nuk ka mbaruar, pasi kanë ende të drejtën që ta luajnë edhe një tur dhe shanset për t’u kualifikuar në ndeshjet teke janë reale, çka do të thotë që një tjetër kalim raundi do t’i “frynte” arkat. Duhet theksuar se në këto bilance nuk po përfshijmë shpërblimin e dhënë nga FSHF për bardhebltë, e drejta televizive apo shitja e Merveil, pasi përfitimet e Tiranës shkojnë në 1.4 milionë euro dhe as përfitimet që ka marrë Teuta nga fitimi i Kupës së Shqipërisë dhe shitja e Sherif Kallakut në Kroaci. Pra, vetëm prej UEFA-s këto 4 klube marrin 2.7 milionë euro.

FONDI I PANDEMISË Që futbolli shqiptar të rimëkëmbet, ka menduar UEFA shumë më herët. Që pas shpërthimit të pandemisë, qeveria europiane vendosi që të shpërndante 236.5 milionë euro për të ndihmuar 55 federatat që të përballojnë sfidat që do të sillte “COVID-19”.

FSHF mori 4.3 milionë euro, para që do përdoren për shpenzimet e vetë institucionit, kombëtaret dhe projekte infrastrukturore (rasti konkret është edhe stadiumi i Kukësit apo ndërtimi i ndonjë fushe për klubet e Superiores si dhe atyre të Kategorisë së Parë). Por, duke qenë se jemi një vend i vogël dhe mbi të gjitha gjatë kësaj periudhe federata jonë nuk ka pasur ndonjë kosto të madhe me kombëtaret (që as kanë luajtur), një pjesë të parave mund ta përdorë edhe për t’u ardhur në ndihmë klubeve.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Sport

Në prag të Final Four, FSHF publikon kalendarin, tre ndeshje në një javë

Tre ndeshje në një javë. Federata shqiptare e futbollit zbuloi dhe kalendarin për 3 javët…

LEXO ME SHUME
Categories Sport

Haaland i rikthehet golave, Man. City fiton 0-2 kundër Nottingham dhe ndjek Arsenalin

Në “City Ground” Nottinghami vendas u mund 0-2 nga Manchester City. “Qytetarët” tanimë janë në…

LEXO ME SHUME
Categories Sport

Distria Krasniqi shpallet kampione e Evropës në xhudo

Distria Krasniqi është shpallur kampione e Evropës në xhudo në kategorinë deri në 52 kilogramë,…

LEXO ME SHUME
Categories Sport

Gjimshiti: Krenari dhe lumturi, e merituam kualifikimin ndaj Liverpoolit

Atalanta shkroi historinë përballë Liverpoolit. Skuadra e Gasperinit eliminuan skuadrën e Klopp, duke siguruar një…

LEXO ME SHUME
Categories Sport

Mario Mitaj flet me zemër: Kam lindur në Athinë, por s’jam grek, E dua Shqipërinë, jam patriot!

Një nga më të mirët në dy miqësoret që Kombëtarja shqiptare zhvilloi, ishte Mario Mitaj.…

LEXO ME SHUME