Partia Demokratike shprehet kundër ndarjes së reformës zgjedhore në dy faza, pas propozimit të bërë nga maxhoranca në komisionin e posaçëm.
“Është e pamundur të bësh debat në nivel teknik sa kohë nuk ke zgjidhur problemet thelbësore të reformës, që janë ato që kemi paraqitur në planin pesë pikësh”, shprehet nënkryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho.
Nënkryetari Spaho thotë se e vetmja mënyrë për kapërcimin e krizës janë propozimet e opozitës, për të cilat sipas tij, ende nuk ka një përgjigje zyrtare nga shumica në parlament.
“Ne s’kemi vënë kushte, presim të dëgjojmë palën tjetër. Kemi marrë pergjigje në biseda korridoresh apo tryeza kafenesh. Presim një pergjigje zyrtare”, shton Spaho.
Dhe përgjigjen zyrtare demokratët nuk e presin aspak nga Damjan Gjiknuri, të cilin e akuzojnë si të përfshirë në dosjen e Dibrës.
“Ne me bashkëkryetarin e komisionit të reformës zgjedhore nuk pranojmë të bashkëpunojme. Ai është i përfshirë në krimin elektoral në zgjedhjet e vitit 2017 dhe duhet të ndiqet nga prokuroria”, thotë nënkryetari i PD.
E aq më pak legjitim për ta bërë këtë reformë shohin Komisionin Parlamentar, të bashkëkryesuar nga Gjiknuri. Në ndihmë për një reformë të vërtetë zgjedhore kërkojnë t’u vijnë ndërkombëtarët, të cilët kërkojnë të drejtojnë strukturën e posaçme.
“Për të pasur garanci që gjërat do bëhen dhe zbatohen”, thekson Spaho.
Edmond Spaho thotë se Partia Demokratike është e gatshme për të bërë reformën zgjedhore, por sipas tij, pengesa e vetme është kryeministri Rama.
