Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet ka reaguar në lidhje me spotin e Ministrisë së Shëndetësisë për masat kundër COVID-19, ku ndër të tjera kërkohej të shmangeshin ‘grumbullimet fetare’. PDIU rreshtohet në krahë të drejtuesve të fesë dhe besimtarëve duke e cilësuar etiketimin nga MSH. një mentalitet të papranueshëm dhe mungesë respekti. Sipas PDIU, më së fundi, institucionet shtetërore duhet të kujdesen për përditshmërinë e jetës në vend dhe nuk duhet kurrsesi të ndërhyjnë në vendimarrjen e përfaqësuesve të fees, pasi kjo sjell në memorje një kohë të errët e të kaluar prej kohësh në Shqipëri dhe ky mentalitet nuk duhet të kthehet më kurrë në vendin tonë.
MESAZHI I PLOTË
Drejtuesit e fesë në vend dhe besimtarët, sot kanë ngritur në media shqetësimin mbi mbylljen e objekteve të kultit dhe shembullin e marrë nga Ministria e Shëndetësisë për distancimin social, ku cilësohen grumbullimet fetare si shembulli negativ në kohën e pandemisë. Më së pari kujtojmë që ceremonitë fetare nuk mundët të cilësohen kurrsesi grumbullime fetare dhe ky është një mentalitet i papranueshëm dhe që tregon mungesën e respektit të insitucioneve qeveritare ndaj fesë.
Stereotipi negativ me të cilin këto institucione etiketojnë ceremonitë fetare, nuk mund të jetë kurrsesi i pranishëm në jetën dhe këndvështrimin tonë për botën dhe fenë. Më së fundi, institucionet shtetërore duhet të kujdesen për përditshmërinë e jetës në vend dhe nuk duhet kurrsesi të ndërhyjnë në vendimarrjen e përfaqësuesve të fees, pasi kjo sjell në memorje një kohë të errët e të kaluar prej kohësh në Shqipëri dhe ky mentalitet nuk duhet të kthehet më kurrë në vendin tonë.
Në kohën që pjesa më e madhe e shteteve po hapin te gjitha segmentet e jetës normale në vend përfshi stadiumet, plazhet, restorantet e shkollat, e vetmja gjë që duhet të bëjë shteti shqiptar është të përcaktojë rregullat dhe respektimin e distancimit social dhe të lejojë sa më shpejt kthimin gradual të normalitetit në vend.