Bashkia e Tepelenës nuk do të lejojë rindërtimin e memorialit të Hormovës, që përkujton masakrat e bandave shoviniste greke në vitin 1914. Në një deklaratë për mediat, kryebashkiaku Tërmet Peçi kërkon ndalimin e punimeve, pasi nuk ka lëshuar asnjë leje ndërtimi apo leje prishje për monumentin ekzistues, ndaj çdo ndërhyrje sipas tij është e paligjshme dhe do të trajtohet si e tillë.

Sa i përket akuzave politike për “tradhëti” dhe prerje në besë, Peçi thotë se ” autorët është mirë ti kërkojnë diku tjetër jo tek familja ime pasi gjyshërit e mi ishin ata që sprapsën bandat shoviniste greke më 1914″.

Javë më parë, një ish-ushtar i UÇK-së, Meçan Zotaj, së bashku me atdhetarë të tjerë morën iniciativën për të rikonstruktuar memorialin e 217 hormovitëve të masakruar nga shovinistët grekë, më 1914, me një projekt ambicioz, ku do të shpluhurosej historia e dhimbshme e masakrës greke ndaj shqiptarëve.
Duke bërë disa thirrje nëpër rrjete sociale, nismëtarët fillimisht grumbulluan fondet për ndërtimin e memorialit, me ndihmën e atdhetarëve shqiptarë nga diaspora e bota, më pas kërkuan lejen në bashkinë Tepelenë për të filluar punimet.
Ditë më vonë, autoritetet lokale me vendim unanim të këshillit bashkiak aprovuan lejen për fillimin e punimeve në memorialin e Hormovës por sot nismëtari Meçan Zotaj në një status në profilin e tij në Facebook shkruan se është kërcënuar në mënyrë indirekte nga kryetari i bashkisë Tepelenë, Tërmet Peçi se kushdo që e ngre atë memorial do të gjobitet dhe proçedohet penalisht.

Madje, Tërmet Peçi shkon deri aty sa thotë se memorialin do ta shembë me fadroma e buldozerë.

Deklarata e plotë e Peçit

Bashkia e Tepelenës është njohur me kërkesën e një grupi qytetarësh që kërkojnë të rindërtojnë një monument që përkujton masakrat e bandave shoviniste greke në vitin 1914 në fshatin Kodër buzë rrugës kryesore.
Monumenti egzistues është në ruajtje nga Bashkia Tepelene dhe i miratuar nga institucionet qëndrore të shtetit që e kanë kopetencë ngrijten e monumenteve.
Bashkia Tepelenë e ka detyrë ta ruaj dhe mirëmbajë këtë monument të shenjtë . Bashkia Tepelenë nuk ka lëshuar asnjë leje ndërtimi apo leje prishje për monumentin egzistues ndaj çdo ndërhyrje është e paligjshme dhe do të trajtohet si e tillë.
Ne mirëpresim dhe respektojmë çdo qytetar apo shoqatë që kërkon të ruaj dhe mirëmbajë monumentet, por nuk kemi tagër ligjor të japim leje për prishjen dhe rindërtimin e tyre sipas kërkesave të grupeve të ndryshme.
Sa i përket akuzave politike për “tradhëti” dhe prerje në besë, autorët është mirë ti kërkojnë diku tjetër jo tek familja ime pasi gjyshërit e mi ishin ata që sprapsën bandat shoviniste greke më 1914.
Këta patriotët e 2020 nuk kanë as hipotekën e patriotit dhe as të monumentit. Hipotekën e patriotizmit e di historia kush e ka, kurse hipotekën e monumentit e kanë ligjet e shtetit shqiptar. Tërmet Peçi Kryetar i Bashkisë Tepelenë
